Claudio Ranieri rikthehet nga pensionimi? Nis negociatat me Romën
Trajneri Claudio Ranieri mund të rikthehet nga pensionimi ngase ka nisur negociatat me Romën për të marrë drejtimin e klubit edhe një herë.
73-vjeçari ishte trajner i Cagliarit sezonin e kaluar, ndërsa pasi i shpëtoi nga rënia në Serie B, ai e njoftoi pensionimin.
Sidoqoftë, duket se ka ndryshuar mendje shumë shpejtë dhe mund të rikthehet te Roma për herën e tretë.
“The Athletic” raporton se negociatat nisën menjëherë pasi Roma shkarkoi Ivan Juric, pas humbjes në shtëpi nga Bologna.
Juric iu bashkua Romës vetëm në shtator pasi klubi italian kishte vendosur ta shkarkonte legjendën Daniele de Rossi, por gjërat nuk funksionuan, duke qenë se renditen në pozitën e 12-të në tabelë.
Te Roma janë përmendur një listë e madhe e emrave si pasues të mundshëm përfshirë Edin Terzic, Paulo Sousa ose Frank Lampard.
Ranieri duket si opsion afatshkurtër, edhe pse do të ishte një rikthim emocional në klubin që e ka mbështetur gjatë tërë jetës.
Dy herët e fundit kur ishte trajner i Romës ishin gjatë periudhës 2009/11 si dhe 2019.