Chelseat ndalet nga Fulham në “Stamford Bridge”, as blerjet e shtrenjta nuk e ndihmuan
Chelsea barazoi 0:0 kundër Fulhamit. Ndeshja mes dy skuadrave të Londrës u mbizotërua nga vendësit, por pa gjetur rrugën e golit. Blerja më e madhe e janarit, Enzo Fernandez, luajti titullar vetëm tre ditë pasi u transferua nga Benfica.
Pas shifrave astronomike që shpenzoi Chelsea në afatin kalimtar të janarit, pritjet ishin të mëdha për t’i parë në fushë përforcimet e reja.
Megjithatë, Fulham nuk udhëtoi e dorëzuar në “Stamford Bridge”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silva edhe një herë u paraqit mirë ndaj Chelseat, pasi në ndeshjen e parë para tri javësh kishte arritur të fitonte 2:1.
Për Chelsean nga minuta e parë luajti edhe Enzo. Mesfushori argjentinas qëndroi deri në fund të takimit në fushë, duke bërë edhe një paraqitje dinjitoze, anipse ka vetëm 72 orë që ka nënshkruar me skuadrën e re.
So nearly a debut goal! 😮 https://t.co/301XUN2BXl pic.twitter.com/7HlUG4Nq5K
— Chelsea FC (@ChelseaFC) February 3, 2023
Vendësit mbizotëruan plotësisht në lojë gjatë pjesës së parë, por nuk ia dolën që ta regjistronin qoftë edhe një goditje të vetme në portë.
Gjatë gjithë kohës skuadra mysafire qëndroi me kujdes në gjysmëfushën e vet, duke pritur çastin e duhur për t’u vënë në kundërsulm.
Kështu ishte pasqyra edhe e pjesës së dytë. Chelsea bëri disa zëvendësime, rriti intensitetin e sulmeve, mirëpo portën e ekipit kundërshtar nuk e shkundi dot.
Rastin më të mirë në lojë e pati Fofana në minutën e 80-të. Pas një dalje jo mirë të menduar të portierit Leno, Fofana kaloi edhe atë, por goditjen e tij e pengoi njëri prej mbrojtësve të Fulhamit, duke e devijuar topin në këndore.
Përveç tryesnisë së shfaqur në sulm, të besuarit e Potter nuk ishin konkretë në minutat në vijim, duke mos arritur që ta rrezikonin portën e mbrojtur nga portieri gjerman.
Kësisoj, me epilogun pa gola mbaroi edhe kjo ndeshje. Chelsea regjistroi barazimin e dytë rresht. Në shtatë ndeshjet e fundit Chelsea ka shënuar vetëm dy fitore, por edhe tre barazime e dy humbje.
Ndërkaq në rastin e Fulhamit ajo nuk doli duarbosh, pasi në dy ndeshjet e fundit kishte regjistruar dy humbje të njëpasnjëshme. Chelsea momentin zë pozitën e 9-të me 30 pikë, ndërsa Fulham në atë të 6-të me 32 pikë.

Për Potter ngelet shumë punë për të bërë deri në fund të këtij edicioni, për t’i sjellur gjërat në vendin e tyre pas investimeve të mëdha që ka bërë pronari Boehly.
Përmbledhja e ndeshjes Chelsea - Fulham:
