Chelsea synon ta shesë Lukakun dhe ta blejë Vlahoviqin
Chelsea është duke planifikuar ta zëvendësojë Romelu Lukakun me sulmuesin e Juventusit, Dusan Vlahoviq.
Gjiganti i Premierligës është duke e pritur ofertën e Interit për Lukakun këtë javë dhe sipas mediave italiane, La Gazzetta dello Sport dhe Il Corriere dello Sport, synojnë ta zëvendësojnë atë me sulmuesin serb.
Il Corriere dello Sport raporton se Vlahoviqi është në krye të listës së kërkesave të trajnerit të ri të Chelseat, Mauricio Pochettino, si sulmuesi që do ta zërë vendin e belgut në Stamford Bridge.
Drejtorët e Juventusit dhe Chelseat mund të takohen këtë javë, pasi bardhezinjtë e kanë caktuar tashmë një udhëtim drejt Anglisë për t’u takuar me disa klube të Premierligës, si Liverpooli dhe Aston Villa e West Hami.
Juventusi i ka nxjerrë në treg disa futbollistë, për të cilët janë të interesuara shumë klube angleze.
Vlahoviqi vlerësohet rreth 80-90 milionë euro.
Përfaqësuesi i Serbisë ishte golashënuesi më i mirë i Juventusit në sezonin 2022/23 me 14 gola në 42 ndeshje në të gjitha garat.
Besohet se Vlahoviqi bashkë me Federico Chiesan do të largohet nga klubi torinez këtë verë.
