Chelsea s'e mposht as Bournemouthin
Chelsea nuk ka arritur t’i arkëtojë pikët e plota as si mysafir i Bournemouthit, në kuadër të xhiros së pestë në Premierligë.
“Blutë” e Londrës pavarësisht posedimit më të madh, assesi s’ia dolën ta gjejnë rrugën drejtë rrjetës.
Chelsea e nisi fuqishëm me Nicolas Jackson që rrezikoi me një goditje nga afërsia, por që traversa i shpëtoi vendasit.
Londinezët vazhduan me krijimin e disa aksioneve të shpejta, me Conor Gallagher që gjithashtu kishte një mundësi të mirë shënimi por shumë larg finalizimit.
Chelsea në fakt arriti të shënonte përmes mbrojtësit Levi Colwill që realizoi pas një topi të kthyer, mirëpo rezultoi që ishte pozitë jashtë loje.
Bournemouth gjithashtu krijoi disa kundërzbritje mirëpo që asnjëra nuk e rrezikoi portën mysafire.
Kësisoj në fund dy klubet angleze u pajtuan me nga një pikë. Chelsea zë pozitën e 14-të me pesë pikë, derisa Bournemouth të 15-en me tre sosh.
Në xhiron e radhës, Chelsea do ta pres Aston Villan në “Stamford Bridge” derisa Bournemouth i shkon Brightonit.