Chelsea rikthehet për Enzon, me ofertë të jashtëzakonshme
Chelsea është rikthyer për ta kërkuar Enzo Fernandezin e Benficas, në përpjekje për ta blerë atë 24 orë para së të mbyllet afati kalimtar i janarit.
Klubit nga Londra perëndimore i ishte hedhur poshtë një ofertë prej rreth 80 milionë eurove plus bonuse nga klubi portugez në fillim të janarit.
Megjithatë, Chelsea është rikthyer në ditët e fundit të afatit kalimtar dhe i ka rinisur bisedimet me Benfican.
Raportohet se të kaltrit i kanë ofruar 120 milionë euro pa bonuse për ta blerë mesfushorin e Argjentinës tani.
Enzo shkëlqeu me Argjentinën në Kupën e Botës 2022 dhe ishte ndër lojtarët kyçë që i ndihmuan kombëtares së Amerikës Jugore ta arrijë lavdinë në Katar.
Chelsea është i etur ta përforcojë skuadrën në mesfushë, pasi tashmë i ka afruar lojtarët si Mykhaylo Mudryk, Joao Felix në huazim, Benoît Badiashile dhe Noni Madueke.