Chelsea hap negociatat për transferimin e Thuram
Chelsea ka hapur bisedimet me Borussia Monchengladbach për nënshkrimin e sulmuesit Marcus Thuram.
Skuadra e Graham Potter është e interesuar që të përforcojë sulmin, pavarësisht arritjeve të vonshme të Raheem Sterling dhe Pierre-Emerick Aubameyang.
Një ndër futbollistët që po pëlqehet është 25-vjeçari, i cili impresionoi në Kupa e Botës me Francën dhe thuhet se edhe Manchester Unitedi po e vëzhgon nga afër.
Sulmuesi ka shënuar 13 gola në 17 paraqitje për Monchengladbach këtë edicion, por ka bërë me dije se nuk do ta rinovojë kontratën.
Kontrata momentale i skadon në fundin e sezonit dhe gjiganti gjerman preferon shitjen e tij në mënyrë që të mos e humbë si agjent të lirë në verë.
Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, Chelsea ka kontaktuar klubin e Bundesligas dhe po planifikon bisedime të reja brenda 48 orëve.
Chelsea shpreson që Monchengladbach do ta shesë për vetëm 8.5 milionë funte, duke marrë parasysh që kontrata e lojtarit skadon në korrik.
Thuram në anën tjetër është i hapur të qëndrojë në klub deri në fundin e sezonit pasi po kalon një formë të shkëlqyer.
Chelsea momentalisht është 10 pikë mbrapa Manchester Unitedit, skuadër që renditët në top katërshe. Ata deri me tani kanë nënshkruar disa talentë si David Fofana, Benoit Badiashile dhe Andrey Santos.