Chelsea dhe Real Madrid në garë për Lautaro Martinezin
Real Madrid i është bashkuar Chelseas në garë për transferimin e sulmuesit të Interit, Lautaro Martinez.
“Blutë” janë duke e vëzhguar argjentinasin që kur morën Mauricio Pochettinon si trajner, pasi është admirues i madh i lojtarit dhe beson se është ndër sulmuesit më të mirë në botë.
Sidoqoftë, tani kësaj gare i është bashkuar edhe Real Madridi, skuadër kjo që e donte Martinezin para se të kalonte te Interi në vitin 2018, meqenëse e kanë identifikuar si një transferim i mundshëm.
Largimi i Karim Benzemas nga “Santiago Bernabeu” e ka detyruar Real Madridin të kërkojë një qendërsulmues urgjent në afatin e verës.
Sulmuesi i Tottenhamit Harry Kane është prioriteti i “Los Blancos” por pasi negociatat me klubin anglez do të jenë shumë të komplikuar e ndoshta asnjë marrëveshje s’do të arritët, Martinez shihet si alternativa.
Kai Havertz është një tjetër opsion për Real Madridin, por Chelsea i ka vendosur një çmim të lartë prej 70 milionë euro që e ka shtyrë Realin të largohet nga gara.
Chelsea vazhdon të mbetet e interesuar për Martinezin, por momentalisht është e fokusuar në largimin e disa futbollistëve, më saktësisht mesfushorëve.
Mateo Kovacic është afër Man Cityt, Mason Mount te Man United, N’Golo Kante te Al-Ittihad dhe Loftus-Cheek te Milani, marrëveshje që mund të zyrtarizohen në javët në vijim.
Ndërkohë, e ardhmja e argjentinasit pritet të kuptohet pas finales së Ligës të Kampionëve ku Interi do të përballet me Man Cityn.