Chelsea demolohet nga Leeds - NACIONALE

Chelsea demolohet nga Leeds

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Chelsea e ka pësuar keq nga Leeds United, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë në Premier Ligë, të dielën pasdite, duke u mposhtur 3-0.

Ishte një ditë për t'u harruar nga 'Të Kaltërit', të cilët do të kenë shumë për të reflektuar mbi të bëmat e sotme, sidomos në repartin defanziv.

Aaronson kaloi në epërsi Leedsin në minutën e 33-të, pas një gafeje të tmerrshme nga portieri mysafir, Edouard Mendy.

Chelsea fitoi posedimin brenda zonës defanzive, me Thiago Silvan që pasoi prapa te Mendy.

Ky i fundit ishte nën presionin e Brenden Aaronson që po i vraponte në drejtim dhe, në vend se të spastronte rrezikun, ai u mundua të shndërrohej në Edersonin e Manchester Cityt, duke bërë një kfintë.

Ky doli të jetë një gabim i madh.

Aaronsen nuk e hëngri atë që po mundohej të gatuante Mendy. Transferimi i verës i Leedsit pastaj arriti t'ia rrëmbente topin Mendyt dhe, për të shtuar ofendimin ndaj portierit të Chelseat, qëlloi në rrjetë pa shikuar.

Ishte një gabim tejet jo karakteristik për një prej portierëve më të mirë të lojës.

Gjërat shkuan nga keq në tmerr për Mendyn tutje, me Leedsin që dyfishoi rezultatin katër minuta më vonë.

Nikoqirët fituan një goditje dënimi bnë një zonë të rrezikshme në minutën e 37.

Jack Harrison krosoi në zonë dhe gjeti Rodrigon, i cili kërceu mbi Reece Jamesin, për të drejtuar topin në qoshe të poshtme të portës.

Gola të tjerë nuk pati në pjesën e mbetur të intervalit dhe Leeds u fut në pushim me avantazh prej dy golave.

Chelsea kishte nevojë të përmirësohej drastikisht në pjesën e dytë por, fatkeqësisht për Thomas Tuchel dhe të gjithë ata që janë të lidhur me këtë klub, ajo nuk ndodhi.

Thjesht asgjë nuk po funksiononte për 'Të Kaltërit', të cilët në pjesën e dytë ishin po aq jo produktiv sa në të parën.

Tentativat për të bërë më shumë përmes krahut të majtë, ku po aktivizohej Cucurella, rezultuan të dështuara, falë edhe lëvizjeve të ngathta të transferimit të verës.

Krahu i djathtë dukej paksa më i gjallë, me Reece James që po mundohej të bënte më shumë, por pa shumë sukses.

Asistuesi i golit të dytë, Harrison tash shënoi për 3-0, me Rodrigon që ia ktheu favorin duke asistuar.

Ky gol erdhi pas një tjetër momenti të dobët në mbrojtjen e mysafirëve, e cila përbëhej nga Kalidou Koulibaly e Thiago Silva në qendër.

Deri në fund, mjerimi u thellua për Chelsean, derisa Kalidou Koulibaly u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në ndeshje për të lënë skuadrën me dhjetë lojtarë në fushë për gjashtë minuta.

Pas kësaj fitoreje, Leeds ngjitet në vendin e tretë në tabelë, me shtatë pikë pas tri ndeshjeve, ndërsa Chelsea bie në pozitën e 12 me vetëm katër pikë të grumbulluara pas tri javëve.

Lajme të ngjashme