Chelsea arrin marrëveshje me Wesley Fofana
Chelsea ka arritur një marrëveshje në parim për të nënshkruar me qendërmbrojtësin e Leicester City, Wesley Fofana, siç kupton The Athletic.
Leicester kishte refuzuar një ofertë të përmirësuar nga Chelsea për francezin 21-vjeçar në fillim të kësaj jave, por një përparim në çmim duket se tani ka bindur skuadrën angleze.
Chelsea kishte bërë më parë dy oferta për mbrojtësin francez, por të dyja u refuzuan nga Leicester, pasi sipas tyre nuk e kishin ofruar akoma çmimin që meriton mbrojtësi.

Fofana u la jashtë skuadrës së Leicesterit nga Brendan Rodgers në humbjen 2-1 nga Southampton të shtunën e kaluar pasi vet lojtari kërkoi të mos luante.
Rodgers tha para ndeshjes se Fofana ishte lënë jashtë sepse ai nuk ishte "në kuadrin e duhur mendor" për t'u bashkuar me shokët e tij të skuadrës.
“Unë përmenda një javë para se të hynim në një ndeshje të Premierligës dhe ndoshta një ose dy lojtarë nuk janë në kuadrin e duhur mendor, ju nuk mund t'i mbani ata dhe sigurisht që ne nuk mundemi”, tha Rodgers për NBC.
"Pra, kjo është arsyeja e ndryshimit", shtoi tutje.
Fofana ka luajtur 37 ndeshje në Premierligë që kur nënshkroi me Leicesterin nga skuadra franceze Saint-Etienne për 43 milionë euro.

Mbrojtësi bëri përshtypje gjatë sezonit të tij të parë në stadiumin King Power, por sezoni i tij 2021-22 u kufizua nga një këmbë e thyer, lëndim ky i pësuar në një miqësore para-sezonale kundër Villarrealit.
Fofana në sy me paraqitjet e mira kishte rënë në sy në Saint-Etienne, ku skuadra kampione e Anglisë në sezonin 2015/16 e konfirmoi interesimin e saj me një ofertë relativisht të lartë për një lojtar të ri, i cili ende nuk ishte provuar në ndonjë skuadër të fortë.

Deri më tani mbrojtësi francez në dy skuadrat si profesionist, ka bërë 82 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar tre gola dhe dhuruar një asistim.
Duke parë që tani Thiago Silva është në moshë afër pensionimit, skuadra londineze me pronësi të re ka menduar në afrimin e tij, në mënyrë të sigurojë të ardhmen edhe për disa vite në vijën e mbrojtjes.
Kujtojmë se Chelsea deri më tani ka shpenzuar shumë në afatin kalimtar veror në vijën mbrojtëse, duke siguruar Kalidou Koulibaly dhe Marc Cucurella, për shuma të majme parash.
Ndeshja e ardhshme e Chelseas është pikërisht kundër ish-skuadrës së Fofanas, Leicester Cityn. Kjo ndeshje luhet nesër në Stamford Bridge, me fillim nga ora 16:00.
