“Çfarë goli”, Napoli krenohet me supergolin e Amir Rrahmanit
Napoli ka shkruar për golin fantastik që shënoi kapiteni Amir Rrahmani, në përballjen ndaj Qipros.
Duke dribluar mes dy lojtarëve dhe me një goditje precize si të ishte një sulmues, Rrahmani kaloi Kosovën në epërsi.
E këtë gol të bukur e ka parë edhe skuadra italiane Napoli, e cila në “Facebook” ka postuar disa fotografi kur ndodhi aksioni, si dhe festimin e lojtarit.
Ndër të tjera, Napoli në mbishkrim edhe shkroi “Çfarë goli”.
Kosova po kalon një formë të shkëlqyer aktualisht, ku pas humbjes nga Rumania i fitoi të tre ndeshjet e fundit, duke mbledhur nëntë pikë në ligën C.
Sidoqoftë, sfidat e vërteta janë në muajin nëntor, ku Kosova duhet të fitojë së paku me rezultat 3:0 për të fituar vendin e parë në grup, ose normalisht nëse Rumania gabon në fund për përballjen ndaj Qipros.
Përndryshe, pas Rumanisë, Kosova e mbyll këtë kampanjë të Ligës së Kombeve si nikoqir i Lituanisë në Prishtinë, më saktësisht në stadiumin “Fadil Vokrri”.