Cassano: Po çfarë rikthimi i Juventusit – është rikthyer të jetë skuadër shpifëse - NACIONALE

Cassano: Po çfarë rikthimi i Juventusit – është rikthyer të jetë skuadër shpifëse

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Antonio Cassano vazhdon ta kritikojë Juventusin, edhe pse kjo e fundit ka hyrë në një seri të mrekullueshme rezultatesh. Ish-sulmuesi italian aludon se prapëseprapë loja e saj vijon të jetë tepër shpifëse.

Të gjithë e përshëndesin ecurinë pozitive të Juventusit, në përjashtim të një personi të vetëm: Antonio Cassanos. Ky i fundit nuk ka ndër mend që të zbythet nga qëndrimet e tij, që janë shumë të ashpëra ndaj Massimiliano Allegrit si trajner.

Edhe pse Juventusi korri një fitore të radhës në Serie A gjatë fundjavës, duke mposhtur Udineses në terrenin vendës me rezultat të ngushtë 1:0, Cassano vlerëson që loja e dobët është një shëmti e llojit të vet që po vazhdon ta përcjellë këtë skuadër.

“Më vjen gërdi ta dëgjoj Allegrin. Tifozët juventinë nuk janë të marrë, por tani po vazhdon tutje meqë i fiton ndeshjet. Ka uri e agresivitet? S’më intereson. Në minutën e 44-të në shtëpi tënde ke 31% të qarkullimit të topit ndaj Udineses, ndërsa mediet shkruajnë se është rikthyer. Po çfarë rikthimi. Është rikthyer të jetë shpifëse”, tha ai në emisionin "Bobo TV".

Sipas Cassanos pavarësisht se si do të shkojë pjesa e mbetur e sezonit mendimi për Juventusin nuk do të ndryshojë.

“Mund edhe t’i fitojë të gjitha trofetë, por në përjashtim të ndeshjes kundër Lazios, ka qenë shpifëse. Kundër Cremonese, e cila ka të gjithë lojtarët e nivelit të Serie B, meritonte që të pësonte humbje. Në fund të ndeshjes portieri bëri një pritje m*ti dhe fitoi”, përfundoi Cassano.

Juventusi për momentin zë vendin e dytë me 37 pikë në Serie A, duke kaluar edhe Milanin, ndonëse me pikë të barabarta. Distanca me kreun e tabelës që mbahet nga Napoli është prej 7 pikëve, kurse të premten luhet ndeshja direkte mes tyre në “Diego Armando Maradona”.

Lajme të ngjashme