Carlos Tevez: E ndoqa Francën, nuk e kam telefonuar Leo Messin për ta uruar për Kupën e Botës - NACIONALE

Carlos Tevez: E ndoqa Francën, nuk e kam telefonuar Leo Messin për ta uruar për Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish ylli i Manchester Unitedit, Carlos Tevez ka pranuar se nuk e ka pasur vëmendjen te Kupa e Botës "Katar 2022" dhe që as nuk e ka telefonuar Leo Messin për ta uruar.

Messi drejtoi Argjentinën drejt triumfit të madh në Kupën e Botës duke mposhtur në finale Francën pas 11-metërshave.

Sidoqoftë, Tevez për "Marca" e ka pranuar haptas se nuk e ka telefonuar Messin shkaku i mesazheve të shumta që mori ky i fundit, derisa theksoi se e ka shikuar shumë kombëtaren e Francës duke luajtur.

"Nuk e kam shikuar Kupën e Botës në Katar shumë, por e ndoqa Francën mjaftueshëm pasi ishte skuadra që më pëlqente".

"Nuk i kam shkruar Messit sepse telefoni i tij me gjasë ka shpërthyer (nga mesazhet e shumta). Më bënë shumë të lumtur që fëmijët e mi festuan golat e tij".

Tevez u rikthye te klubi i fëmijërisë Boca Juniors pas pensionimit, por argjentinasi deklaroi se është lodhur nga koha e tij në futboll, andaj nuk po i mungon asgjë.

"Nuk më mungon bota e Boca Juniors, as e futbollit, sepse më ka lodhur".

"Sapo u largova nga Rosario Central, mora një thirrje nga Independiente, por nuk kisha nevojë të shkoja dhe të menaxhoja asgjë".

"Të isha trajner ishte eksperiencë e bukur, e doja. Strategjia ishte pjesa që më pëlqeu më së shumti. Tani jam duke shijuar disa momente të jetës. Jam me familjen time".

38-vjeçari mbahet mend si një ndër sulmuesit më të mirë gjatë kohës te Manchester United dhe Manchester City, derisa luajti më vonë edhe për Juventusin dhe Shanghai Shenhua.

Ai u bë trajner i skuadrës argjentinase Rosario Central pas pensionimit, mirëpo u largua pas vetëm pesë muajve në krye.

Lajme të ngjashme