Carlo Ancelotti: Real Madridi është përmirësuar, i duam të gjitha trofetë
Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti thotë se do të synojnë të gjitha trofetë dhe që klubi madrilen është përforcuar dukshëm.
Real Madrid ka qenë mjaftë aktiv në afatin kalimtar veror duke nënshkruar me Fran Garcian, Brahim Diazin, Arda Gulerin, Joselun dhe Jude Bellinghamin.
Në intervistë për mediat para fazës parapërgatitore në Amerikë, Ancelotti tha se është tejet i lumtur me tërë këto prurje dhe që klubi është përforcuar dukshëm pavarësisht largimit të Karim Benzemas.
“Jemi shumë të lumtur. Të gjitha transferimet e shtojnë kualitetin e skuadrës. Fran Garcia e forcon krahun e majtë, ku kemi pasur probleme sezonin e kaluar. Me Joselun do të fitojmë momentet në ajër ku kemi vuajtur”.
“Guler është shumë i talentuar. Është ende shumë i ri dhe tifozët do ta shijojnë. Bellingham është tejet luftues dhe diçka që na mungonte. Skuadra është përmirësuar. Dua të provoj diçka të re, por nëse s’funksionon atëherë kemi sistemin e vjetër që na ka sjellë shumë suksese”.
“Mendoj se skuadra është përmirësuar pavarësisht që humbëm një legjendë si Karim Benzema, të cilit i uroj më të mirat”.
Tekniku italian refuzoi të komentojë marrëveshjen me Federatën Braziliane, duke shtuar se është plotësisht i fokusuar te “Los Blancos”.
“Forca, të mos ja fillojmë nga dita e parë. Jam trajner i Real Madridit. Nuk flas më për këtë gjë. Kam kontratë deri më 30 qershor 2024”.
“Nuk jam në nxitim. Të shohim çfarë do të ndodh”.
Ancelotti u pyet sërish rreth Kylian Mbappes, mirëpo nuk u përgjigj duke deklaruar se Real Madridi mund t’i fitojë të gjitha trofetë vetëm me një qendërsulmues (Joselu).
“Nuk do të flas për lojtarë që nuk janë në Madrid. Do të flas për lojtarë kualitativ si Brahim, që sapo u kthye nga AC Milani. Nuk kam folur ende për të dhe është në formë shumë të mirë dhe sigurisht kemi Modric, Vinicius, Rodrygo”.
“Vetëm një sulmues? Po, Real Madrid mund të garojë për të gjitha trofetë me vetëm një sulmues”.