Can me rrëfim shokues: U shërova nga tumori, paratë s’janë gjithçka para shëndetit - NACIONALE

Can me rrëfim shokues: U shërova nga tumori, paratë s’janë gjithçka para shëndetit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori i Borussia Dortmundit, Emre Can, ka dhënë një rrëfim shokues, ku njoftoi se sa ishte pjesë e Juventusit kishte vuajtur nga tumori në tiroide.

Numri i futbollistëve që po diagnostikohen me tumore të ndryshme po pëson një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Te Borussia Dortmund duket se jo vetëm Haller ka pasur probleme me tumor.

Në mënyrë befasuese dhe aspak të pritshme edhe mesfushori gjerman, Emre Can, deklaroi se gjersa ishte pjesë e Juventusit vuante nga tumori në tiroide. Rrëfimi i tij për “DAZN” ishte vërtet prekës.

“Kam pasur një tumor në tiroide dhe më duhej një ndërhyrje e përshpejtuar përmes operimit. Ka qenë diçka që më ka ndryshuar jetën time. Mund të kesh shumë para, mund të kesh gjithçka, por shëndeti është gjëja kryesore”, tha ai.

29-vjeçari inkurajon të gjithë që të bëjnë sa më shpesh kontrolle mjekësore, pavarësisht nëse mendojnë se ndihen mirë.

“U këshilloj të gjithëve që të bëjnë kontrolle mjekësore, sepse nuk ka rëndësi që ne mendojmë se jemi shëndoshë. Nëse zbulohet kjo sëmundje në kohë mund të ndërmerren masa. Jam ekstremisht falënderues ndaj doktorëve të Juventusit”, shtoi ai.

Mesfushori i klubit gjerman tregoi se si e kishte kuptuar lajmin për diagnostikim me tumor në tiroide dhe si e kishte pritur atë.

“Disa muaj pas vizitës mjekësore më kanë telefonuar për të më lajmëruar. Nuk e dija se çfarë po ndodhte. Nuk kisha dëgjuar të flitej për tiroide dhe as që e dija se mund të ishte një tumor”, theksoi Can.

Duke gjykuar në retrospektivë, përfaqësuesi gjerman është i bindur se qoftë edhe vetëm për shërimin nga kjo sëmundje ia ka vlejtur kalimi te “Zonja e Vjetër”.

“Transferimi im në Torino (qytetin ku ka selinë Juventusi) ia ka vlejtur edhe për këtë gjë”, përfundoi ai.

Can qëndroi në Juventus nga vera e 2018-ës deri në atë të 2020-ës. Më pas u transferua te Borussia Dortmund, që bleu kartonin e tij për 30 milionë euro.

Lajme të ngjashme