Calhanoglu “godet” Milanin: Nuk iu bashkova Interit për para
Mesfushori Hakan Calhanoglu ka konfirmuar refuzimin e një oferte nga Arabia Saudite, duke thënë se nuk iu bashkua Interit nga AC Milani për para.
Gjatë intervistës së fundit për “Sportmediaset”, turku e pranoi se e hodhi poshtë një ofertë nga Arabia Saudite.
“Po, është e vërtetë edhe pse agjenti im nuk më tregon këso gjëra sepse e di që jam i fokusuar në punën time me Interin”.
“Vendosa të mos largohesha sepse e dua Interin. Kam një rol të rëndësishëm. Jam falënderues sepse Interi më rriti”.
Calhanoglu u largua nga “Rossonerët” për t’iu bashkuar “Neurazzurëve” si agjent i lirë, megjithatë thotë se nuk e bëri shkaku i parave.
“Të gjithë mendojnë se u largova nga Milani për para, por paratë nuk janë gjithçka”.
“Për mua, të ndihem i dashur është më e rëndësishme dhe këtë po e marrë nga tifozët. Është diçka që do të qëndrojë në zemrën time. Kam shumë objektiva me Interin”.
“Më kujtohet ndeshja e parë ndaj Genoas, isha pak nervoz. Po mendoja për pritjet e tifozëve. Jam i fokusuar. Kam besim në vete, e di kualitetin tim por kur tifozët më japin diçka është mirë t’ua kthesh”.
Turku ka shënuar tetë gola dhe dhuruar tre asistime në 22 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, derisa kontrata i skadon më 2027.