Buzëqesh Argjentina, Di Maria është gati të luajë në finalen e Botërorit - NACIONALE

Buzëqesh Argjentina, Di Maria është gati të luajë në finalen e Botërorit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Di Maria ka bërë stërvitje të plotë sot për kombëtaren e tij në Katar. Mediet argjentinase raportojnë se përzgjedhësi Lionel Scaloni do të mund të llogaritë në shërbimet e tij për ndeshjen finale të së dielës kundër Francës.

Argjentina po vijon përgatitjet për ndeshjen finale të dielës kundër kampiones në fuqi, Francës. Njëri prej lojtarëve kryesorë të Argjentinës, Di Maria, nuk ishte në elementin fizik më të mirë prej ndeshjes së fundit në fazën e grupeve kundër Polonisë, që u fitua me rezultat 2:0.

Kështu, ai nuk arriti të ishte i gatshëm për lojë për ndeshjen e parë të fazës së eliminimit direkt kundër Australisë, e as të ishte titullar në çerekfinale apo gjysmëfinale që pasuan më vonë.

Megjithatë, “El Fideo” ka shtrënguar dhëmbët dhe ka arritur që të rikuperohet plotësisht për ndeshjen finale. Kështu shkruan e përditshmja më e madhe sportive argjentinase, “Olè”.

Kujtojmë se 34-vjeçari ka qenë njëri nga lojtarët që ka dhënë kontributin më enorm për “Seleccion” ndër vite, duke qenë shpesh ai që ka vendosur fatin e ndeshjeve.

“Në stërvitjen e sotme ishte edhe Di Maria, i cili është 100% gati për t’u marrë në konsideratë nga përzgjedhësi Scaloni për finalen e të dielës”, raporton “Olè” përmes reporterit të vet nga Katari.

Di Maria kërkon hakmarrjen pas tetë vitesh

Argjentina më 2014 njashtu arrinte që ta siguronte finalen, të cilën më pas e humbi kundër Gjermanisë. Mirëpo, në atë ndeshje Di Maria mungonte për shkak të lëndimit.

Historia rrezikonte të përsëritej njëjtë edhe në këtë edicion të Kupës së Botës, sidomos pasi ndieu dhimbje në muskujt e kuadricepsit në ndeshjen kundër Polonisë.

Sido që të jetë, fati kësaj radhe i buzëqeshi më mirë atij dhe Argjentinës, duke mos vuajtur nga një pengesë e tillë për ndeshjen që vlen më shumë se gjithçka tjetër.

Di Maria kishte bërë çmos që të ishte gati për t’i ndihmuar kombëtares së tij akoma pa filluar mirë Botërori. Ai thuajse fare nuk luajti për Juventusin, klubin e tij të ri, në këtë fillim të sezonit, duke ngritur shpesh dilemat në mesin e tifozëve juventinë nëse thjesht nuk dëshironte të rrezikonte për të mos qenë në gatishmëri të “Seleccion” për Botërorin e Katarit.

Ashtu si Messi, edhe Di Maria ka deklaruar qe ky është Botërori i fundit që luan ai me fanellën e Argjentinës. Në përgjithësi ai ka shënuar 27 gola në 128 paraqitje me ekipin e parë të kombëtares së tij. Ndërsa në këtë Botëror ka dhënë vetëm një asist, pasi në shumicën e rasteve nuk ka mundur të luajë për shkak se nuk ishte në formën më të mirë fizike.

Akoma nuk dihet nëse Scaloni do ta fusë në njëmbëdhjetshën e parë Di Marian, përkundër tërë përvojës së madhe që ka, pasi në ndeshjet e fundit formacioni që ka zgjedhur i ka dhënë rezultate të mira.

Lajme të ngjashme