Bukayo Saka largohet nga kombëtarja e Anglisë shkaku i lëndimit
Ylli i Arsenalit Bukayo Saka është larguar nga kombëtarja e Anglisë shkaku i lëndimit para dy ndeshjeve kundër Australisë, respektivisht Italisë.
Saka mungoi në fitoren e fundit të Arsenalit ndaj Manchester Cityt të dielën, por ishte ftuar nga përzgjedhësi Gareth Southgate pavarësisht shqetësimeve të Mikel Artetas.
Trajneri Mikel Arteta insistoi se Saka nuk ishte i gatshëm por që Southgate e ftoi me shpresën që 22-vjeçari të shërohej para ndeshjes ndaj Italisë.
Sidoqoftë, pas testeve të bëra, “Tre Luanët’ kanë konfirmuar se lojtari nuk është në planet e Anglisë për dy ndeshjet e radhës.
“Bukayo Saka nuk do të jetë pjesë e Anglisë ndaj Australisë dhe Italisë.
“Pasi humbi në fitoren e Arsenalit në Premierligë ndaj Manchester City, Saka bëri testime mjekësore te kombëtarja e Anglisë dhe u vendos që lojtari të vazhdojë shërimin te klubi”.
“Asnjë zëvendësim s’është planifikuar me Gareth Southgate që ka 25 lojtarë për të punuar”.
“Anglia do të përballet me Australinë të premten para se të rikthehet në “Wembley” për ndeshjen ndaj Italisë”, shkruhet në komunikatë.
Saka te Anglia ka bërë 31 paraqitje, duke regjistruar 11 gola si dhe ishte ftuar te Kampionati Evropian “Euro 2020”, si dhe Kupa e Botës që u zhvillua në Katar vitin e kaluar.