Broja: Doja të luaja më shumë, por i respektoj vendimet e trajnerit - NACIONALE

Broja: Doja të luaja më shumë, por i respektoj vendimet e trajnerit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi Armando Broja ka bërë të ditur se kishte shpresuar për më shumë minutazhë në Evropian, mirëpo i respekton vendimet e trajnerit.

Të gjithë mbeten të befasuar me Sylvinhon, që e la Brojën në stol ndaj Spanjës duke e inkuadruar vonë në fushë, ndërsa s’i dha asnjë minutë në përballjen ndaj Kroacisë, me Rey Manajn që ishte titullar në dy ndeshjes.

Pas eliminimit nga Evropiani, Broja u shpreh se kanë luajtur bukur por dëshira e tij ishte të zhvillonte më shumë minuta.

"Mund të mbajmë kokën lartë. Kemi bërë turne shumë të bukur. Kemi luajtur me tri skuadra që janë në nivel shumë të lartë. Në të tri ndeshjet ishim shumë afër. Nuk kishte ndonjë ndeshje ku na kanë shkatërruar. Të gjithë mund të jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë dhe që kemi arritur. Evropiani vjen çdo katër vjet. Të gjithë duan të luajnë. Edhe unë do të dëshiroja të luaja më shumë. Por trajnerit i takojnë vendimet dhe duhet respektuar atë që thotë trajneri”.

“Në ndeshjen e parë kam mundur të luaj më mirë. Kam pasur dëshirë edhe në ndeshjen e dytë të hyja. Edhe sonte do të dëshiroja të filloja. Por janë vendimet e trajnerit dhe duhet respektuar. Gjithmonë tifozët më qëndruan prapa. Kur thirrën emrin tim jam ndier shumë mirë. Kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët që më kanë ndihmuar shumë, që më japin besim. Edhe kur jam lënduar kam pasur shumë mesazhe. I falënderoj shumë të gjithë shqiptarët", u shpreh ai.

Lajme të ngjashme