Brentford shkakton befasi, triumfon ndaj Liverpoolit
Brentford ka arritur ta bëjë befasinë duke mposhtur në shtëpi Liverpoolin, në kuadër të xhiros së 19-të në Premierligë.
"Bletat" zhvilluan lojë të shkëlqyeshme duke u mbrojtur më së miri dhe fituar në fund me rezultat komod 3:1.
"Reds" e nisën më mirë duke pasur një mundësi të mirë shënimi përmes Darwin Nunez, por ky i fundit pasi dribloi portierin nuk e konkretizoi në gol.
Brentford arriti të kalojë në epërsi pas një autogoli të Ibrahima Konate, me francezin që në përpjekje për ta larguar topin e dërgoi në rrjetë (19').
Pas kësaj Brentford arriti të dominojë edhe më shumë duke dyfishuar me anë të Youane Wissa, por goli u anulua për pozitë jashtë loje (23').
Vendasit shënuan sërish, këtë herë përmes Ben Mee që shënoi një gol të bukur, mirëpo sërish ndërhyri VAR-i duke e anuluar për pozitë jashtë loje (39').
Sidoqoftë, vetëm tre minuta më vonë Youane Wissa shënoi me kokë pas një harkimi fantastik të Mathias Jensen duke dyfishuar epërsinë (42').
Në pjesën e dytë, Liverpool e nisi fuqishëm duke ngushtuar rezultatin me anë të Nunez, por uruguaiani ishte në pozitë jashtë loje, andaj goli u anulua, që ndodhi për herë të tretë në ndeshje.
Mirëpo, vetëm dy minuta më vonë, Alexander-Arnold gjeti për mrekulli të lirë Oxlader-Chamberlain i cili shënoi me kokë për 2:1 (50').
Pas kësaj, Liverpool mori dominimin e plot duke kërkuar përmbysjen e madhe, por që assesi s'e arrinte.
Në fakt, kur askush nuk e priste Bryan Mbeumo përfitoi nga një gabim në mbrojtje duke vulosur fitoren (84').
Kështu, Liverpool tani vazhdon të renditët në pozitën e gjashtë me 28 pikë, derisa Brentford ngritët në vendin e shtatë me 26 sosh.
Në xhiron e radhës, Liverpool do të jetë mysafir i Brightonit, derisa Brentford do ta pres Bournemouthin.