Brazili barazon me Kolumbinë, mësohen të gjithë çerekfinalistët e Kupës së Amerikës - NACIONALE

Brazili barazon me Kolumbinë, mësohen të gjithë çerekfinalistët e Kupës së Amerikës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Me dy ndeshjet e grupit D është mbyllur faza grupore e Kupës së Amerikës, ku Brazilia e Kolumbia barazuan për të kaluar të dyja në çerekfinale të turneut, kështu për t'u mësuar të gjitha tetë skuadrat që do të luftojnë në fazën e eliminimit direkt.

Mëngjesin e hershëm të ditës së sotme (e mërkurë), u takuan Kolumbia - Brazili e Kosta Rika - Paraguai.

'Selecao' ndonëse ishin duke fituar me një epërsi të hershme, nuk arritën të merrnin tre pikët e plota, për të kaluar në vendin e parë.

Ishte Raphinha që realizoi gol shumë të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 12-të, për rezultatin 1:0.

Por Kolumbia insistoi në vazhdim, duke krijuar më shumë raste shënimi dhe kështu arritën te goli i barazimit.

Në një dalje të shpejtë, Cordoba asistoi bukur për Munoz, me këtë të fundit që e çoi topin prapa krahëve të Alisson Becker, për të barazuar rezultatin në 1:1, në minutat shtesë të pjesës së parë.

Deri në fundin e ndeshjes më gola nuk pati në takim, me Brazilin që kishte posedimin e topit, ndërsa Kolumbia ishte për një nuancë më e rrezikshme.

Ky barazim, ia mundësoi Kolumbisë vendin e parë në grup, e Brazilit të dytin, për të kaluar të dyja në çerekfinale.

Në ndeshjen tjetër, Kosta Rika fitoi ndaj Paraguait me rezultat 2:1, por që tre pikët ishin të pamjaftueshme për të ecur tutje.

Calvo në minutën e 3-të dhe Alcocer në minutën e 7-të shënuan për dy golat e shpejtë të kostarikanëve, teksa Paraguai me anë të Ramon Sosa në minutën e 55-të, shënuan për rezultatin përfundimtar 2:1.

Të dy këto skuadra eliminohen në fazën grupore.

Çiftet çerekfinale

Janë mësuar të gjitha katër duelet çerekfinale të Kupës së Amerikës.

Ashtu siç dihej, Argjentina do të takohet me Ekuadorin më 5 korrik me fillim nga 03:00 me orë lokale të Kosovës, duke vazhduar me takimin Venezuela - Kanada, që zhvillohet një ditë më pas në orar të njëjtë.

Në anën tjetër, më 7 korrik, zhvillohen dy takime. Fillimisht në 00:00 përballen Kolumbia - Panama, teksa në 03:00 do të jetë derbi mes Uruguait e Brazilit.

Image

Lajme të ngjashme