Boston Celtics fiton bindshëm ndaj Dallas Mavericks në finalen e parë, shkëlqejnë Brown e Porozingis - NACIONALE

Boston Celtics fiton bindshëm ndaj Dallas Mavericks në finalen e parë, shkëlqejnë Brown e Porozingis

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Boston Celtics e ka filluar në mënyrën më të mirë serinë finale, duke qenë skuadër bindëse ndaj Dallas Mavericks në TD Garden, për të fituar me rezultat 107:89, ku Jalyen Brown e Kristaps Porozingis shkëlqyen.

Celtics si skuadra më e mirë në sezonin e rregullt, kishte avantazhin të luante pranë tifozëve të saj, ashtu siç do ta ketë edhe në ndeshjen e dytë, gjë që iu ndihmoi shumë atyre në këtë përballje.

Çereku i parë nisi në mënyrë fantastike për Bostonin, të cilët fituan me rezultat 37:20, ku u dalluan me mbrojtje shumë të fortë, teksa vazhduan me lojë të mirë edhe në 12 minutat në vazhdim, për të shkuar në pushim me epërsi prej 21 pikëve apo rezultat 63:42.

Dallas Mavericks tentoi të kthehej nga disavantazhi i thellë pas pushimit, por edhe kur u afruan në pikë, Bostoni pati një seri prej 11:0, duke u kthyer sërish ajo epërsia e thellë.

Mavericks fituan çerekun e tretë 24:23 dhe të katërtin 23:21, dhe përfundimisht përballja në TD Garden u mbyll në të mirë të Bostonit me rezultat 107:89, apo 18 pikë epërsi.

Padyshim lojtarët më të dalluar në këtë ndeshje ishin Jaylen Brown me 22 pikë dhe Kristaps Porozingis me 20 pikë (15 nga të cilat i shënoi në pjesë të parë), teksa edhe katër lojtarë të tjerë patën pikë dyshifrore te vendasit.

Në anën tjetër, te Dallasi u dallua si gjithmonë Luka Doncic që shënoi 30 pikë, por që ishin të pamjaftueshme për skuadrën e tij, pasi u përballen me një mbrojtje shumë të fortë të Boston Celtics.

Finalja e radhës, që poashtu luhet në TD Garden, do të jetë të hënën (10 qershor) me fillim nga ora 02:00 me orë lokale të Kosovës.

Lajme të ngjashme