Borussia Dortmund i bashkohet garës për Granit Xhakën
Gjiganti gjerman Borussia Dortmund i është bashkuar garës për shërbimet e mesfushorit të Arsenalit, Granit Xhaka, kështu se paku raporton gazeta e madhe zvicerane “Blick”.
Shqiptari pritet të largohet në verë nga “Topçinjtë” pavarësisht që kaloi një nga sezonet më të mirë të karrierës, duke qenë i etur për rikthimin në Gjermani.
Siç raporton e përditshmja zvicerane “Blick”, Dortmund gjithashtu është duke vëzhguar nga afër situatën e Xhakës dhe janë të interesuar për një marrëveshje.
“Borussia Dortmund është duke monitoruar nga afër situatën e mesfushorit dhe do të ishte e interesuar për të”.
Përpos Dortmundit, interesim për Xhakën kanë shprehur edhe ish klubi Borussia Monchengladbach dhe Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos.
Xhaka është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016, por sezonin më të mirë të karrierës e kaloi këtë edicion duke shpërthyer nën urdhrat e Artetas.
Xhaka thuhet se ka ndërprerë bisedimet për rinovimin e kontratës me Arsenalin, që skadon në vitin 2024 pasi është i etur për një rikthim te Bundesliga.
Një nga arsyet kryesore është edhe gruaja e tij Leonita, që dëshiron të rikthehet në vendin ku ka lindur.
I pyetur për të ardhmen e Xhakës, Arteta refuzoi të komentojë duke thënë se është i kënaqur me paraqitjet e 29-vjeçarit.
"Nuk dua të përgjigjem shkaku i disa spekulimeve për Xhakën. Jam tejet i lumtur me Granitin, i cili po kalon një sezon të shkëlqyer".
"Ai ndoshta po kalon sezonin më të mirë që kur iu bashkua klubit. Jemi shumë të lumtur që e kemi në skuadër", deklaroi ai të premten.