Blerjen e Muriqit s'ia falin dot Tares, vazhdon sulmi ndaj drejtorit të Lazios
Në Itali nuk e kanë harruar fare Vedat Muriqin. Dështimi te Lazio ka lënë shije të hidhur. Gazetari sportiv me renome në Itali, Alfredo Pedullà, po vazhdon t’i kërkojë llogari Igli Tares për 20 milionë euro të shpenzuara për sulmuesin kosovar.
Igli Tare është në një udhëkryq të rëndësishëm në karrierën e tij. Drejtorit sportiv shqiptar i skadon kontrata me Lazion në fund të këtij sezoni.
Ka më shumë se tetë muaj që ka filluar një fushatë e egër kundër vazhdimit të kontratës së tij nga gazetari sportiv i mirënjohur italian, Alfredo Pedullà. I njëjti nihet edhe si mik i ngushtë i trajnerit Maurizio Sarri.
Gazetari italian që punon në “Sportitalia” ka botuar edhe sonte një editorial të radhës, duke e quajtur Igli Taren si një njeri që ka krijuar katrahurë në klubin italian. Madje, sipas tij dëshmi e dështimit të tij në lëvizjet që ka bërë në afatet kalimtare të fundit në transferimin e lojtarëve është blerja e kartonit të Muriqit.
“Ta harrojmë faktin se Muriqi është ringjallur në Laliga, por janë shpenzuar 20 milionë euro për të”, shkruan ai.

Vedat Muriqi nuk kishte arritur të ambientohej me Lazion dhe futbollin italian. Në 38 paraqitje sulmuesi 28-vjeçar kosovar kishte shënuar vetëm një gol, duke mos e përligjur kështu investimin e bërë për të.
Megjithatë, pavarësisht raporteve të ngrira mes drejtorit sportiv nga Vlora dhe trajnerit Sarri, që jo rrallëherë edhe kanë polemizuar në distancë gjatë këtyre muajve të fundit – raportohet se Lottito, respektivisht pronari dhe presidenti i klubit, është duke e përgatitur një ofertë për rinovimin e bashkëpunimit me të edhe për tre vite të ardhshme.
Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që mes rreshtave në këtë fushatë të fortë të gazetarit Pedullà shfrytëzohet emri i Muriqit për ta denigruar figurën e Igli Tares, me pretekstin se ka qenë i paaftë të planifikojë të ardhmen e skuadrës.
Në anën tjetër, Muriqi po qëndron larg këtyre zërave dhe po e shijon formën shumë të mirë në Mallorca, ku e ka gjetur një besim të cilin nuk e kishte pasur asnjëherë në kryeqendrën italiane, qoftë nga publiku, mediet apo vetë skuadra.
Ai ka shënuar 8 gola në Laliga me skuadrën ishullore spanjolle dhe në disa raste tjera ka qenë përcaktues në paraqitjet e jashtëzakonshme që ka bërë Mallorca, siç ishte rasti në fitoren 1:0 kundër Real Madridit para disa ditësh.
