Blerja e Manchester Unitedit nga Katari do të ishte katastrofë për PSG-në - NACIONALE

Blerja e Manchester Unitedit nga Katari do të ishte katastrofë për PSG-në

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Synimi i Katarit për ta blerë Manchester Unitedin për rreth 7 miliardë euro është duke e shqetësuar tej mase Paris Saint-Germainin, sipas mediave franceze.

Familja Glazer e ka nxjerrë në shitje Manchester Unitedin tash e disa muaj dhe është duke pritur oferta deri këtë të premte, kur edhe është afati i fundit për dërgimin e ofertave.

Raportohet se shumë palë kanë shprehur interesim për ta blerë gjigantin e Premierligës, përfshirë edhe miliarderin britanik Sir Jim Ratcliffe dhe pronari i Twitterit Elon Musk.

Por janë paratë nga Lindja e Mesme që kanë marrë vëmendjen më të madhe.

Autoriteti për Investime i Katarit (AIK) është në mesin e atyre që kanë bërë ofertë për ta blerë Unitedin, pasi Fondi për Investime Sportive i Katarit (ISK) u tërhoq për shkak se e ka në pronësi një klub tjetër, Paris Saint-Germainin në Francë. UEFA nuk lejon që dy klube që kanë pronarin e njëjtë të përballen mes vete në garat e saj në Evropë.

Blerja e Unitedit nga AIK-ja nuk do të përbënte ndonjë shkelje me rregullat të UEFA-s por PSG-ja është e shqetësuar për fatin e vet nëse ndodh kjo, sipas gazetës së përditshme franceze L’Equipe.

Autoriteti për Investime i Katarit i ka ofruar rreth 7 miliardë euro për t’i blerë djajtë e kuq, përafërsisht aq sa edhe i kërkojnë pronarët amerikanë të klubit anglez.

L’Equipe raportoi të enjten se ISK-ja është e shqetësuar me mungesën e përfitimit dhe zgjerimit të mundshëm global që është i mundur vetëm brenda Ligue 1, me Premierligën angleze që është treg shumë më atraktiv.

Humbjet financiare në Parkun e Princave – me yjet si Neymar, Lionel Messi e Kylian Mbappe – shkojnë deri në 200 milionë euro në vit.

Druhet se, nëse Katari vendos të derdhë para në Manchester United, dhe investimet në Old Trafford të jenë prioritet i investitorëve të Lindjes së Mesme, atëherë investimet në PSG do të ndalen dhe synimet e klubit për ta fituar Ligën e Kampionëve do të shuhen.

Lajme të ngjashme