Blend Baftiu prezantohet te Llapi, nënshkruan kontratë dyvjeçare
Nënkampioni i Kosovës në Superligë, KF Llapi, sot ka prezantuar transferimin e parë për sezonin e ri. Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Dritës në sezonin që lamë pas, Blend Baftiu, i cili ka nënshkruar me skuadrën llapjane për dy sezone.
26-vjeçari që luan si mesfushor ofensiv është bërë përforcimi i parë për Llapin për sezonin e ardhshëm, i cili do t'i ndihmojë skuadrës edhe në kualifikimet për gara evropiane.
Baftiu që vitet më të arta i pati te Ballkani i Suharekës, luajti për dy sezone te Intelektualët, ku bëri 84 paraqitje, duke shënuar 16 gola e dhuruar nëntë asistime.
Në prezantimin e Blend Baftiut, ishte legjenda e futbollit kosovar tani drejtori sportiv i Llapit, Mentor Zhdrella, i cili tha se janë të lumtur që kanë siguruar shërbimet e 26-vjeçarit.
"Jemi shumë të lumtur që kemi siguruar shërbimet e Blend Baftiut. Ai do të sjellë një dimension të ri në lojën tonë dhe presim me padurim që të shohim kontributin e tij në fushë. Kjo është një shenjë e ambicieve tona për të arritur sukses në të gjitha garat ku marrim pjesë, duke nisur nga ato të Ligës së Evropës."
Baftiu në anën tjetër, tha se është i lumtur që i është bashkuar një skuadre me traditë dhe me tifozë fantastik.
"Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e KF Llapi. Ky është një klub me traditë dhe tifozë fantastikë. Shpresoj që së bashku të arrijmë rezultate të shkëlqyera dhe të bëjmë krenarë të gjithë mbështetësit tanë."
Blend Baftiu ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Llapin, që do ta mbajë atë në stadiumin Zahir Pajaziti, deri në verën e vitit 2026.