Bellingham: Bernabeu si koliseum, kur luan ndihesh si gladiator
Ylli i Real Madridit Jude Bellingham thotë se ndihet si gladiator sa herë që luan në “Santiago Bernabeu”.
Anglezi po shkëlqen te gjiganti madrilen pavarësisht që iu bashkua vetëm në verë dhe ka marrë vëmendjen e të gjithëve, duke qenë lojtari më i pëlqyer në skuadër.
Në një intervistë për “RMTV”, Bellingham ka folur për jetën në Madrid si dhe formën fantastike që po kalon.
Ai tha se ka mbetur i mahnitur se sa i madh është klubi i Real Madridit dhe sa herë që luan në Bernabeu ndihet si gladiator.
“Ju e dini që është klubi më i madh në botë, por kur e përjetoni nga afër është spektakolare. Është sikur po luani në një koliseum. Ndihesh si gladiator. Është shumë e veçantë. Nuk mund ta imagjinoni kurrë se sa i madh është ky klub. Është e pamundur të dalësh atje dhe të mos të njohin. Klubi është një nivel më i lartë.”
I pyetur për jetën në Madrid, Bellingham tregoi se njerëzit janë të mrekullueshëm mirëpo nuk komunikon shumë shkaku që nuk e di gjuhën spanjolle.
“Ka raste kur dal për të pirë një kafe pranë shtëpisë time ose shkoj në qendër të qytetit për të ngrënë. Pastaj kthehem në shtëpi për të pushuar për pak në kopsht nëse është mirë dhe me diell. Nëse miqtë e mi janë këtu, ne dalim për darkë dhe kthehemi në shtëpi. Është vërtet bukur. Ju takoni njerëz në vendet ku shkoni më shumë. Ata nuk të shohin si Jude Bellingham futbollistin, vetëm Jude që vjen për të pirë një kafe dhe kjo është e mrekullueshme. Njerëzit që takoj në qytet kujdesen shumë për mua. Ndihem si në shtëpinë time”.
“Kur jam jashtë jam një person i rezervuar dhe nuk më pëlqen të komunikoj me shumë njerëz, pasi është e vështirë për mua për shkak të gjuhës, por janë gjithmonë shumë të sjellshëm”.