Befasia e mbrëmjes: Sporting Lisbon e eliminon Arsenalin nga Liga e Evropës - NACIONALE

Befasia e mbrëmjes: Sporting Lisbon e eliminon Arsenalin nga Liga e Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sporting Lisbon ka bërë befasinë duke eliminuar Arsenalin nga Liga e Evropës, pasi e mposhti në penallti.

Derbi mes Arsenalit dhe Sportingut ishte tejet interesant me rezultatin e përgjithshëm 3:3, por që nga pika e bardhë më të saktë u treguan portugezët duke fituar me rezultat 3:5.

Pasi përfundoi ndeshja e parë me rezultat 2:2, edhe ndeshja kthyese ishte dramatike me rezultatin përfundimtar pas kohës së rregullt dhe shtesës që doli të jetë 1:1.

Granit Xhaka me një gol të bukur pas një topi të kthyer i dha epërsinë Arsenalit pas vetëm 19 minutave lojë.

Sulmuesi Gabriel Jesus kishte një rast të mirë për të dyfishuar epërsinë, por që nuk arriti ta finalizojë.

Në pjesën e dytë, ishte Pedro Goncalves që mahniti të gjithë në stadium me një gol nga gjysma e fushës, duke lënë në "gjumë" portierin Aaron Ramsdale (62').

Sporting kishte mundësinë ta vuloste fitoren, por që Edwards dhe Paulinho dështuan nga afërsia, kësisoj ndeshja shkoi në vazhdime.

Pavarësisht rasteve edhe në kohën shtesë, prapë asnjëra skuadër nuk ia doli të shënonte. Sporting mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Manuel Ugarte u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Nga pika e bardhë Sporting Lisbon ishte e pagabueshme, derisa Gabriel Martinelli ishte fytyra tragjike duke dështuar nga 11-metërshi.

Kështu Sportingu, avancon në çerekfinale dhe kundërshtarin do ta mësojë pas hedhjes së shortit.

Lajme të ngjashme