Bayern Munich i nënshtrohet liderit Bayer Leverkusen
Lideri i deritanishëm i Bundesligës, Bayer Leverkusen, ka vazhduar me paraqitje fantastike në elitën gjermane, tani duke e nënshtruar kampionin në fuqi Bayern Munich, pasi e mposhti në shtëpi me rezultat 3:0.
Skuadra e Xabi Alonsos nuk di për humbje këtë sezon të ligës gjermane, kur janë zhvilluar 21 ndeshje deri më tani, ndërsa seria e tyre pa humbje në të gjitha garat është 31 ndeshje, pasi nuk ka pësuar humbje as edhe në garat tjera ku lufton ende për tituj.
Gjithçka nisi mirë në BayArena për vendasit, pasi dolën në epërsi qysh në minutën e 18-të, kur shënoi mesfushori Josip Stanisic, për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, në skenë doli Alex Grimaldo, që këtë sezon po kalon formë fantastike, ku dyfishoi epërsinë për skuadrën e Alonsos.
Për rezultatin përfundimtar 3:0 shënoi mbrojtësi Jeremie Frimpong në minutat shtesë të takimit, për t'ia dhënë goditjen e fundit Bayern Munichit në këtë takim.
Bayern Leverkusen tani pas 21 ndeshjeve, shkon në kuotën e 55 pikëve, pesë më shumë se Bayern Munich e vendit të dytë, që është ndjekësi më i afërt.