Batatina me akuza të rënda ndaj MKRS-së, kërcënon me ndërprerjen e garave
Tahir Batatina i Llapit e ka akuzuar Ministrinë e Sportit (MKRS) se gjoja e ka kaluar çdo limit profesional dhe sportiv duke mos e licencuar Federatën e Futbollit të Kosovës, si dhe ka bërë thirrje për ndërprerjen e garave të futbollit në vend.
Federata e Futbollit, e udhëhequr nga Agim Ademi i vendosur në arrest shtëpiak nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të parasë së federatës, ka dështuar t’i plotësojë kushtet dhe kërkesat për licencim tash e shumë muaj, raporton Nacionale.
Përveç FFK-së, shumë klube kanë parregullsi të brendshme që janë në kundërshtim me kushtet e licencimit, prandaj MKRS-ja iu ka kërkuar edhe atyre t’i plotësojnë kushtet për ta licencuar FFK-në si të tërë.
Batatina - një nga pronarët e Llapit dhe trajner i ekipit të parë – i cili është njeri i afërt me Ademin, ka bërë përpjekje t’i bindë klubet t’i bëjnë presion Ministrisë së Sportit për t’ia lëshuar licencën FFK-së përmes takimeve që i janë bojkotuar nga shumica e klubeve të mëdha të Superligës.
Në një reagim në rrjetin social Facebook të martën, Batatina shkroi: “A po humb durimi tek klubet e futbollit sepse para dy javëve, Komisioni i Licencimit na premtoj se do t'i rikthej vërejtjet e tyre për klubet, klubet t'i rregullojnë ato dhe të licensohet Federata e Futbollit e të vazhdoj Ligji për Sponsorizim.”
Ai shtoi: “Po duket që rruga e vetme e mundshme do të jetë ndërprerja e garave dhe mobilizimi për hapat e radhës ndaj Ministrisë që tash e ka kaluar çdo limit profesional, njerëzor por edhe sportiv.”
Në mesin e klubeve që nuk i plotësojnë kushtet për licencim janë disa nga liga elitare kosovare.
“Nëse kjo Ministri nuk i respekton pronarët e klubeve, donatorët dhe sponzorët që sa do pak po mundohen të kontribojnë për këtë rini por siq po shihet juve nuk është duke iu interesuar rinia dhe as sporti por vetëm ta kaloni mandatin tuaj qeveritar që diçka ndryshe ju keni premtuar rinisë tonë dhe këtij vendi”, nënvizoi ai.
Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.
Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.
