Batatina e lavdëron gjyqtarin për penalltinë diskutabile që s'ia dha Gjilanit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas barazimit të skuadrës së tij ndaj Gjilanit me rezultat 2:2, lavdëroi gjyqtarin e takimit, Genc Nuzën, që nuk ra pre e presionit të kundërshtarëve dhe as publikut për të gjykuar penallti në minutat e fundit dhe sipas tij ai meriton të gjykojë ndeshjet e forta të Superligës.
Sa i përket ndeshjes Batatina thotë se merituan fitoren, por se edhe me barazim është i kënaqur, pasi kishte mungesë të madhe, siç është ajo e Bianor Netos, që për trajnerin llapjan është i pazëvendësueshëm.
“Në bazë të asaj se çfarë krijuam në fushë nuk merituam të barazonim por ta fitonim ndeshjen, sepse ishte tri herë përball me portën dhe po të ishim më të qetë përmes Festimit, Drilonit e Kurtajt do ta arrinim. Edhe pse pranuam një gol shumë herët, ishte gol që nuk është dashur të pranohej por barazuam rezultatin me një gol fantastik. Edhe goli i dytë erdhi për shkak të mungesës kryesore të skuadrës Bianor Neto, që nuk mund ta zëvendësojë askush. Të dy skuadrat patëm rastet tona, dhamë maksimumin.”
Diçka që shumë rrallë e dëgjojmë nga trajnerët e Superligës së Kosovës, ishte ajo se çfarë tha Batatina për gjyqtarin Genc Nuza, ku tha se gjykim i tillë i ndeshjes bënë që të avancojë futbolli i Kosovës.
“Ajo sot se çfarë më bëri të ndihem mirë është kur gjyqtari me stemë të UEFA-s nuk bie pre e presionit as të skuadrës vendase dhe as publikut dhe e gjykon drejt ndeshjen. Kjo bën që futbolli i Kosovës të avancojë. Ne si trajnerë mund të kemi reagime të ndryshme por deshëm apo s’deshëm Genc Nuza është ndër gjyqtarët më të mirë që ka Kosova në çdo aspekt. Ai e sheh dhe e vlerëson lojën drejt, dhe jo vetëm pse nuk akordoi penallti në minutat e fundit, por që nga fillimi menaxhoi mirë ndeshjen dhe e meriton t’i gjykojë derbit.”

Për fund ai tregoi që synim i klubit është edhe vendi i tretë përkrahë edhe Kupës së Kosovës, teksa me dy ndeshjet e ardhshme që zhvillojnë në Podujevë synojnë ta ulin diferencën me Gjilanin në garën për vendin e tretë.
“Ky barazim na mbanë lartë në tabelë, aty ku është synimi jonë, pra pozita e tretë. Ne kemi kapacitet për ta bërë këtë, që të luftojmë edhe në Kupë edhe Kampionat dhe jemi shumë afër. Dy ndeshjet e radhës në Podujevë do të na ndihmojnë shumë për t’u afruar me Gjilanin më shumë.”
