Barcelona vazhdon serinë fantastike, fiton ndaj Cadizit - NACIONALE

Barcelona vazhdon serinë fantastike, fiton ndaj Cadizit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona është duke vazhduar me serinë fantastike në La Liga, ku ditën e diele shënoi fitore ndaj Cadizit, e vlefshme për xhiron e 22-të.

Katalunasit dominuan plotësisht duke triumfuar me rezultat komod 2:0.

Cadiz e nisi më mirë duke kaluar në epërsi pas vetëm 19 minutave lojë, mirëpo që goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Pas kësaj, Barcelona mori krejtësisht lojën në dorë. Zhvillohej minuta e 43-të kur mbrojtësi Sergi Roberto u gjend në vendin e duhur për të shënuar nga një top i kthyer dhe vendosur katalunasit përpara.

Ndërsa, vetëm tre minuta më vonë spanjolli asistoi për mrekulli te Robert Lewandowski, i cili ishte i pagabueshëm (45+1').

Edhe në pjesën e dytë, Cadiz arriti sërish të shënojë, këtë herë me anë të Roger Marti, por prapë u anulua nga VAR-i - këtë herë për një faull.

Cadiz tentoi deri në fund duke pasur disa raste të shkëlqyeshme me anë të Emeterio dhe De la Flor, por mbrojtja vendase ishte në nivel të lartë.

Kështu, Barcelona me këtë fitore vazhdon të jetë lider me 59 pikë të mbledhura, derisa Cadiz renditët në pozitën e 17-të me 22 sosh.

Katalunasit në xhiron e radhës do të përballen me Almerian si mysafir, por fillimisht do të udhëtojnë për në "Old Trafford" që të zhvillojnë ndeshjen kthyese ndaj Manchester Unitedit.

Lajme të ngjashme