Barcelona “shpartallon” Athletic Bilbaon, vazhdon ndjekjen e kreut
Barcelona ka mposhtur me rezultat të thellë 4:0 Athletic Bilbaon në xhiron e 11-të në La Liga.
Serinë e golave e hapi Dembele në minutën e 12-të, duke shënuar me kokë pas një harkimi të bukur të Robert Lewandowskit.
Vetëm gjashtë minutave më vonë, francezi ia doli të asistojë për mbrojtësin Sergi Roberto, i cili me një goditje të bukur realizoi për ta dyfishuar epërsinë.
Ky nuk ishte asistimi i vetëm i Dembeles. Katër minuta më vonë ai dhuroi një tjetër të tillë, duke ndihmuar Lewandowskin që qysh në pjesën e parë ta mbyll çështjen e fituesit.
Pjesa e dytë ishte më e kontrolluar e balancuar respektivisht, me vendasit që mbroheshin mirë dhe që nuk donin të sulmonin më tepër.
Në minutën e 73-të Torres arriti të gjejë portën kundërshtare, me ç’rast regjistroi shifrat përfundimtare, Barcelona – Athletic Bilbao, 4-0.
Një tjetër triumf ky, që dërgon skuadrën e Xavit në kuotën e 28 pikëve, tri më pak se Real Madridi kryesues.
Në anën tjetër, baskët shënuan edhe humbjen e tretë këtë edicion, krahas tri barazimeve e pesë fitoreve, mbesin në pozitën e gjashtë, që edhe më tutje i mban në lojë për një vend që dërgon në garat evropiane, varësisht se si do të rrjedhin gjërat.
Javën e ardhshme, Barcelona i shkon Valencias në “Mestalla”, kurse Bilbao në “San Mames” do të jetë nikoqire e “Nëndetëses së Verdhë”.