Barcelona ‘shkatërron’ Elchen, tani +15 pikë larg Real Madridit - NACIONALE

Barcelona ‘shkatërron’ Elchen, tani +15 pikë larg Real Madridit

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Barcelona ka shënuar fitore të thellë ndaj Elches me rezultat 4:0 në kuadër të xhiros së 27-të, kështu duke çuar në +15 pikë diferencën me Real Madridin e vendit të dytë, ndonëse ‘Mbretërit’ kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kjo për katalunasit është fitorja e katërt radhazi, teksa vinte e motivuar nga fitorja në El Clasico dy javë më parë me përmbysje të rezultatit.

Barça ishte thjesht skuadra e vetme në fushë që tregoi diçka në këtë takim, me vendasit që ishin inferiorë nga minuta e parë deri në fund.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 20-të nga Robert Lewandowski, i cili shënoi për 1:0, që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.

Ansu Fati u përkujdes për dyfishimin e epërsisë në minutën e 56-të, që u asistua nga Ferran Torres.

Lewa shënoi edhe golin e dytë personal, kësaj radhe për 3:0 në minutën e 66-të, ndërsa asistoi mesfushori spanjoll, Gavi.

Ferran Torres ishte ai që shënoi për rezultatin përfundimtar 4:0 në minutë të 70-të, kësaj radhe Lewandowski pas dy golave ishte në rolin e asistuesit.

Me këtë fitore Barcelona shkon tani në kuotën e 71 pikëve, me 23 fitore, dy humbje e po aq barazime në 27 ndeshje të zhvilluara, ndërsa ndjekësi më i afërt është Real Madridi me 56 pikë nga 26 ndeshje.

Përkundër telasheve të mëdha që katalunasit po përballen me ligjin dhe akuza të forta pas tyre, kjo gjë duket se nuk ka ndikuar fare tek ta në fushë, pasi po arrijnë fitore pas fitore, kështu duke afruar drejt triumfit të 27 në La Liga në histori të saj.

Lajme të ngjashme