Barcelona rivalizon Realin për Alphonso Davies
Barcelona i është bashkuar Real Madridit në garë për të nënshkruar me mbrojtësin e majtë Alphonso Davies për në verë.
Kanadezi pritet të largohet nga Bayern Munich në fundin e sezonit, ndërsa që disa muaj është lidhur me kalimin te skuadra madrilene si agjent i lirë.
Tani mediumi “Mundo Deportivo” raporton se 23-vjeçari është shënjestër edhe e Barcelonës, me trajnerin Hansi Flick që e njeh shumë mirë falë kohës që kaluan te “Bavarezzët”.
Flick ishte trajneri falë të cilit Davies “shpërtheu”, sidoqoftë që atëherë karriera e tij ka pasur një rënie dhe tekniku gjerman beson se mbrojtësi mund të shkëlqejë në “Camp Nou”.
Shkaku i situatës financiare Barcelona po vazhdon të kërkojë disa agjent të lirë, ndërsa është duke shikuar nga afër edhe mbrojtësin e Bayer Leverkusenit Jonathan Tah, si dhe yllin e Lilles Jonathan David.
Në garë për Davies ndodhet edhe Manchester Unitedi, të cilët kanë arritur të bindin edhe yjet tjerë të Bayern Munichut, si dyshen holandeze Matthijs de Ligt e Noussair Mazraoui që i morën në verë.
Ndërkohë, Davies ende nuk e ka bërë të qartë vendimin për të ardhmen dhe nuk dihet nëse do të ishte i hapur për t’iu bashkuar Barcelonës ngase në të kaluarën kishte treguar se si klubi blaugranas e ka refuzuar vetëm sepse është “kanadez”.
Lojtari do të jetë i lirë për të negociuar me klubet jashtë Gjermanisë që nga muaji janar, gjithnjë nëse nuk rinovon me Bayernin.