Barcelona minimalisht fiton kundër Getafes, përforcon pozitën e parë tabelore
Barcelona ka mposhtur 1:0 Getafen në sfidën e sotme që u zhvillua në “Camp Nou”. Një gol i mesfushorit të spikatur spanjoll, Pedri, i mjaftoi ekipit vendës që t’i sigurojë tre pikët e radhës dhe ta përforcojë vendin e parë në tabelë.
Sërish pa Lewandowskin e pezulluar, Barcelona arriti ta gjejë fitoren e radhës. Ndonëse pa ndonjë shkëlqim të madh, ekipi “Blaugrana” siguron një fitore të çmuar, që ia mundëson asaj që të jetë lidere në kampionat edhe për këtë javë.
Në pjesën e parë, ashtu sikurse në të gjithë ndeshjen, Barcelona ishte mbizotëruese në qarkullim të topit – siç bën zakonisht. Mirëpo, shpërthimi në 16-metërsh me pasime vertikale nuk ishte në elementin më të mirë si tipar i lojës.
Gjithsesi, për ta zgjidhur enigmën e ndeshjes u përkujdes mesfushori i jashtëzakonshëm spanjoll, Pedri. Ai në minutën e 35-të zgjati këmbën mjaft mirë për ta devijuar topin në gol nga një distancë e afërt, pasi u shërbye mjaft mirë nga Raphinha.
Në minutat e mbetura të ndeshjes loja ishte shterpe, me shumë pak volum sulmesh nga të dy anët. Barcelona bëri atë që di më së miri, gjegjësisht qarkullimin e topit, e përmes tij edhe menaxhimin e epërsisë së krijuar.
Kështu, skuadra e udhëhequr nga Xavi arkëtoi tre pikët e radhës. Një shije e mirë që mund të nxjerrët nga kjo ndeshje është edhe fakti që mbrojtja së bashku me portierin arritën ta mbajnë portën e paprekur.
Njëherësh, në pesë ndeshjet e fundit që katalonasit kanë zhvilluar në La Liga, kjo ishte hera e tretë që ia dalin të fitojnë pa pësuar gol. Një tregues që gjërat në mbrojtje kanë filluar të përmirësohen.
Tani Barcelona gjen vetën në pozitën e parë tabelore me 44 pikë të arkëtuara. Për momentin ajo ka një epërsi prej 6 pikëve në krahasim me Real Madridin, që ka një ndeshje më pak për ta zhvilluar.

Në fakt, skuadra e Ancelottit ndeshjen e saj do ta zhvillojë sonte me fillim në ora 21:00, kur do të luajë në stadiumin e nxehtë “San Mames” të Athletic Bilbaos, respektivisht si nikoqire e tij.
Përmbledhja e ndeshjes Barcelona – Getafe:
