Barcelona me 10 lojtarë në fushë fiton me përmbysje ndaj Osasunas
Barcelona ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim te Osasuna, edhe pse ishin me 10 lojtarë në fushë që nga minuta e 35-të, në kuadër të xhiros së 14-të në La Liga.
Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar, meqenëse katalunasit mbeten me 10 lojtarë në fushë, me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 1:2.
Osasuna e nisi për mrekulli duke kaluar në epërsi pas vetëm gjashtë minutave lojë me anë të David Garcia që realizoi me kokë pas një rivendje këndore (6').
Situata për Barcelonën u vështirësua kur Robert Lewandowski u ndëshkua me karton të kuq, pasi mori dy kartonë të verdhë (31').
Në fundin e pjesës së parë, blaugranasit barazuan rezultatin përmes Ferran Torres, por pastaj u anulua për pozitë jashtë loje.
Një incident pastaj ndodhi në kohën shtesë, ku mbrojtësi Gerard Pique mori karton të kuq në ndeshjen e fundit profesionale si futbollist, pasi kishte hyrë në fushë që t'i bëjë presion arbitrit.
Sidoqoftë, Barcelona nuk u dorëzua duke realizuar edhe dy herë të tjera për të realizuar përmbysjen.
Fillimisht, Pedri përfitoi nga një top i kthyer duke shënuar nga afërsia për të barazuar rezultatin (48').
Ndërsa, ishte i inkuadruari Raphinha që realizoi një gol fantastik me kokë pas një asistimi të De Jong për të përmbysur Osasunan (85').
Kështu, Barcelona vazhdon të jetë lider i vetëm në tabelë me 37 pikë, derisa Osasuna renditët në pozitën e gjashtë me 23 sosh.
Skuadra e Xavi Hernandez do ta mbyll si lider për një muaj, pra derisa të kryhet Kupa e Botës që do të nis më 20 nëntor.