Barcelona konfirmon operimin e Ronald Araujos, uruguaiani rrezikon Kupën e Botës - NACIONALE

Barcelona konfirmon operimin e Ronald Araujos, uruguaiani rrezikon Kupën e Botës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo do të operohet javën e ardhshme pasi pësoi një dëmtim në kofshë dhe mund të humbasë Kupën e Botës 2022 me Uruguain.

Aruajo pësoi një dëmtim në kofshë ndërsa ishte në detyrë ndërkombëtare në një miqësore me Iranin.

Gjigantët katalanas kanë konfirmuar se lojtari do të ketë nevojë për operacion, që do të thotë se ai është në dyshim për Kupën e Botës që do të fillojë më 20 nëntor. Uruguai është tërhequr në Grupin H së bashku me Portugalinë, Ganën dhe Korenë e Jugut.

"Ronald Araujo do t'i nënshtrohet një operacioni të mërkurën për heqjen e tendinit aduktor të gjatë që ka në kofshën e djathtë”.

“Operacioni do të kryhet nga Dr. Lasse Lempainen, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit, në Turku të Finlandës”, thuhet në një deklaratë të klubit.

Lëndimi i Araujo është një goditje e madhe për Barcelonën pasi mbrojtësi është bërë një figurë kyçe në zemrën e prapavijës së katalanasve.

Pushimi ndërkombëtar ka qenë i kushtueshëm për skuadrën e Xavit me Jules Kounde, Memphis Depay dhe Frenkie de Jong që të gjithë u kthyen herët nga ekipet e tyre kombëtare pasi pësuan probleme dëmtimi.

Lëndimet e Kounde dhe De Jong nuk janë edhe aq serioze, pasi mund të humbasin vetëm ndeshjen e radhës, pra në vikend, derisa nuk ka detaje të reja mbi dëmtimin e Depay.

Në anën tjetër, Barcelona do ta zhvillojë ndeshjen e radhës këtë të shtunë si mysafir i Mallorcas së Vedat Muriqit.

Deri më tani, skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez renditët në pozitën e dytë në tabelë, më 16 pikë të mbledhura pas gjashtë gjirove (pesë fitore, një barazim), vetëm dy më pak se rivali i përbetuar, njëkohësisht lideri momental, Real Madrid, që vazhdon të jetë skuadra e vetme në top pesë ligat evropiane që ka rekordin 100 për qind të fitoreve.

Lajme të ngjashme