Barcelona kërcënon me veprime ligjore ndaj publikimit të kontratës me Lionel Messin
Barcelona ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër gazetës spanjolle e cila i zbuloi hollësitë e bisedimet e klubit për kontratë me Lionel Messin në vitin 2020.
Të mërkurën, EL Mundo e publikoi një seri kërkesash që Messi ia kishte bërë klubit për ripërtëritjen e marrëveshjes në Camp Nou pasi po futej në vitin e fundit të kontratës.
Për këtë, Barcelona ka shprehur indinjatën duke thënë se nuk do të qëndrojë duarkryq, raporton Nacionale.
“Në lidhje me informacionet e publikuara në El Mundo me titullin ‘Zbulimet brenda Barçës, dosjet sekrete të klubit’, Barcelona shpreh indinjatë për zbulimin e informacioneve nëpër botë të cilat janë pjesë e një procesi ligjor”, thuhet në reagimin e Barcelonës.
“Publikimi i këtyre dokumenteve është fyerje për reputacionin dhe shkelje e privatësisë së klubit. Për këtë arsyeje, dhe me qëllim për t’i mbrojtur të drejtat e Barcelonës, departamenti ligjor i klubit po i studion masat ligjore që duhet të ndërmerren”.
Cilat ishin kërkesat e Messit?
Sipas zbulimeve të gazetës El Mundo të martën mbrëma, Messi kishte kërkuar 10 milionë euro për të nënshkruar marrëveshjen e qëndrimit të Barcelonë, si dhe një aeroplan privat për ta dërguar familjen në Argjentinë për Krishtlindje.
Messi e kishte kërkuar edhe një tribunë luksoze dhe ekskluzive në Camp Nou për familjen e vet dhe familjen e ish-bashkëlojtarit të vet te Barça Luis Suarez, me një garanci për kontratë trivjeçare deri më 2023, me mundësi për ta zgjatur për edhe një vit tjetër.
Kërkesa të tjera të bëra nga ai në vitin 2020 përfshijnë uljen e klauzolës së lirimit nga 700 milionë euro në vetëm 10 mijë euro – që është e pabesueshme për tregun e sotëm.

Dhe pasi kishte pranuar ta ulte pagën për 20 për qind në sezonin 2020/21 shkaku i pandemisë së koronavirusit, Messi kishte kërkuar që paga e tij neto prej 74 milionë eurove në vit të rritej në 82 milionë euro në vit për dy sezonet e ardhshme, plus tre për qind interes vjetor.
Këto kërkesa u zbuluan nga në emailet e shkëmbyera mes Jorge Messit, babait dhe përfaqësuesit të Leos, dhe drejtuesve të Barcelonës, përfshirë presidentit të atëhershëm Josep Bartomeu.
El Mundo, gazeta e dytë më e shtytur në Spanjë me bazë në Madrid, raporton se Barcelona i kishte pranuar të gjitha kërkesat e Messit, pos dyve: duke mos pranuar t’ia ulë klauzolën e lirimit nga 700 milionë euro në vetëm 10 milionë euro dhe bonusin prej 10 milionë eurove për nënshkrimin e kontratës së re.
Messi nuk pranoi ta nënshkruajë marrëveshjen e re dhe bisedimet përfunduan në këtë pikë. Pjesa tjetër është histori.
Pastaj erdhi burofaksi në gusht, kërkesa zyrtare e Messit për t’u larguar, ndryshimi i presidentit të klubit dhe largimi i tij nga Barcelona në lot hidhërimi një vit më vonë për t’iu bashkuar PSG-së./Nacionale/

