Barcelona e mposht me rezultat komod Alavesin
Kampioni në fuqi i La Ligës, Barcelona, ka shënuar fitore me rezultat komod 3:1 ndaj Alaves, për të vazhduar ndjekjen e Real Madridit që kryeson në elitën spanjolle.
Skuadra e Xavi Hernandezit ishte shumë më aktive se vendasit, duke dominuar në posedim të topit, por raste të mira shënimi nuk është se pati aq shumë.
Goli i parë erdhi në minutën 22-të, kur Ilkay Gundogan asistoi për Robert Lewandowskin, për rezultatin 1:0, që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Vetëm katër minuta pasi filloi pjesa e dytë, Barcelona dyfishoi epërsinë. Gundogan kësaj radhe ishte realizatori, ndërsa Pedri në rolin e asistuesit.
Alaves u kundërpërgjigj shumë shpejt, kur Omorodion ngushtoi rezultatin në 2:1 dy minuta më vonë.
Transferi i ri i Barcelonës, Vitor Roque u inkuadrua në lojë, për të zëvendësuar Gundoganin dhe ishte ai që shënoi golin e tretë për katalanasit.
Ardhja e re gjeti golin për 3:1 në minutën e 63-të, por loja për të nuk zgjati shumë. Ai mori dy kartonë të verdhë të njëpasnjëshëm brenda pesë minutave, për t'u ndëshkuar me të kuq dhe la Barcelonën për më shumë se 20 minuta me një lojtar më pak.
Fatmirësisht për të dhe skuadrën, ndryshim në rezultat nuk pati deri në fund dhe Barcelona mori fitoren e radhës.