Barcelona "demolon" Pumas dhe fiton trofeun "Joan Gamper"
FC Barcelona ka shënuar fitore të thellë në ndeshjen kundër klubit meksikan, U.N.A.M.- Pumas për trofeun "Joan Gamper".
Katalunasit zhvilluan lojë fantastike ndaj skuadrës mesatare, duke fituar në fund me rezultat të thellë 6:0.
Katër gola në pjesën e parë dhe dy në pjesën e dytë ishin të mjaftueshme që Barcelona të fitojë "trofeun" e parë për këtë edicion.
Qendërsulmuesi Robert Lewandowski hapi serinë e golave pas vetëm tre minutave lojë, duke përfituar nga një asistim i bukur i Pedrit, ku polaku dribloi edhe portierin dhe në fund e dërgoi topin brenda rrjetës (3').
Vetëm dy minuta më vonë, dyshja bashkëpunuan sërish me Lewandowskin që gjeti për mrekulli talentin spanjoll, i cili e kishte të lehtë ta dyfishonte rezultatin (5').
Për golin e tretë u përkujdes Ousmane Dembele që shënoi me një goditje fantastike pas një asistimi të Raphnihas (10').
Sidoqoftë, Barcelona nuk u ndal më kaq me Lewandowskin i cili me një asistim fantastik me thembër gjeti sërish Pedrin, i cili shënoi për epilogun 4:0, rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.
Në pjesën e dytë, ishte sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang që shënoi nga afërsia pas një asistimi të bukur të Franck Kessie (49').
Fitoren bindëse të gjigantit katalunas e realizoi askush tjetër përpos mesfushorit që vazhdon të jetë i lidhur me largimin, Frenkie de Jong, i cili "rrëmbeu" një top në mbrojtje dhe pastaj realizoi nga afërsia (84').
Barcelona në këtë fazë parapërgatitese ka treguar një kualitet mjaftë të lartë duke mos ditur se çfarë është humbja në gjashtë sfida. Ata mposhtën A-League (2:3), Inter Miami (0:6), Real Madrid (0:1) dhe New York Red Bulls (0:2), derisa barazuan me Olot (1:1) dhe Juventusin (2:2).
Javën tjetër gjiganti katalunas do ta nis edicionin në La Liga, si nikoqir i Rayo Vallecanos, më saktësisht të shtunën e ardhshme në ora 21:00 në “Camp Nou”.