Ballkani synon fitore dhe kualifikimin historik
Kampioni i Kosovës Ballkani do të kërkojë vetëm fitore ndaj Dinamo Zagrebit me shpresën që të avancojë në raundin 1/16 e finales së Ligës të Konferencës.
“Xhebrailat” ende kanë shanse matematikisht për të kaluar tutje, mirëpo kërkohet fitorja ndaj gjigantit kroat dhe njëkohësisht që Plzen të mos mposhtet nga Astana.
Para ndeshjes, mbrojtësi Armend Thaqi për Nacionalen deklaroi se është përballja më e rëndësishme e vitit dhe lojtarët janë në dijeni se duhet vetëm fitore pavarësisht vështirësive.
“Të enjten e kemi ndeshjen më të rëndësishme të gjithë vitit për shkak se me rast fitore dhe kualifikimi, atëherë do ta vazhdonim ëndrrën evropiane që do të ishte histori në vete. Kemi edhe tre ditë kohë që të përgatitemi në maksimum për këtë finale”.
“E dimë që nuk jemi favorit dhe do të kemi përballë një gjigant siç është Dinamo, mirëpo përderisa kemi shanse do të luftojmë deri në fund. E rëndësishme është që ne ta fitojmë ndeshjen pastaj se a na lejon matematika apo jo mbetet krejt tjetër, mirëpo me rëndësi që ne ta kryejmë punën tonë”, tha ai të martën.
Ndërkohë, Ilir Daja në konferencë për shtyp të mërkurën deklaroi: “Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore”.
Përballja mes Dinamos dhe Ballkanit do të nis në ora 21:00.