Ballkani në kërkim të historisë, përballet me Santa Coloman në ndeshjen kthyese - NACIONALE

Ballkani në kërkim të historisë, përballet me Santa Coloman në ndeshjen kthyese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot do ta zhvillojë ndeshjen kthyese ndaj Santa Colomas, ku synon ta shkruajë historinë, duke kaluar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, diçka e paarritur më parë nga një skuadër kosovare.

FC Ballkani një javë më parë luajti në Andorra me Santa Coloman, ku pavarësisht se nuk u paraqit në mënyrën më të mirë, arriti që me një gol në frymën e fundit të dalë me fitore 2:1, duke ia lehtësuar punët vetes për ndeshjen kthyese sot.

Xhebrailat ndeshjen kthyese do ta zhvillojnë në Podujevë, në stadiumin e Llapit, që mbanë emrin e komandantit, Zahir Pajaziti, duke filluar nga 16:30.

Në rast të fitores, do të shkruhej historia, pasi asnjë skuadër kosovare nuk ka arritur të kalojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, e as vetë Ballkani.

Kampioni i Kosovës e pati mundësinë dy herë ta bënte një gjë të tillë, por nuk ia doli.

Në debutimin e saj në kualifikime u përball me Zalgiris, me të cilët barazoi në ndeshjen e parë në shtëpi, por u mposht në ndeshjen kthyese, ndërsa një vit më vonë ndonëse fitoi 2:0 ndaj Ludogorets në Prishtinë, në Bullgari pësoi humbje të thellë 4:0, por në dy sezonet e lartëcekura, kampioni i Kosovës arriti kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës.

Një shenjë e mirë është që Ballkani nuk ka pësuar humbje në shtëpi në asnjë prej ndeshjeve kualifikuese, ndërsa krejt çka i nevojitet sot është mbrojtja e rezultatit për të kaluar tutje.

Kampioni i Kosovës synon historinë, duke kërkuar këtë sezon kualifikimin në grupet e Ligës së Kampionëve apo Ligës së Evropës, me këtë të fundit që është më e arritshme.

Ndeshjen në Podujevë do ta gjykojnë gjyqtarët nga Ukraina, me kryesorin që është Oleksii Derevinskyi, që do të ndihmohet nga Shlonchak e Matyash. Gjyqtari i katërt është Kalonov, ndërsa në VAR Kopiievskyi si kryesor, e Shandor si ndihmës i tij.

Lajme të ngjashme