Ballkani mposhtet nga Malisheva, Suhareka triumfon ndaj Gjilanit
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka pësuar humbje ndaj Malishevës në kuadër të javës së katërt të Superligës së Kosovës, e në anën tjetër Suhareka ka triumfuar ndaj Gjilanit 3:2.
Ballkani ka pësuar humbjen e parë sezonale, pasi paraprakisht kishte fituar dy ndeshje e kishte barazuar një herë.
Malisheva e nisi shumë mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e 16-të me anë të Arbër Prekazit, i asistuar nga Etnik Brruti.
Sunday Adetunji i barazoi shifrat në minutën e 28-të për Ballkanin, ku me rezultatin 1:1 skuadrat shkuan në pushim.
Drilon Hazrollaj e riktheu epërsinë prej një goli të Malishevës, kur shënoi në minutën e 61-të, teksa për 3:1 realizoi Fatjon Bunjaku.
Shpresë Ballkanit i dha Queven Inacio, kur e ngushtoi rezultatin në 3:2 në minutën e fundit të takimit, por kaq ishte nga kjo ndeshje.
Ballkani pësoi humbjen e parë, teksa Malisheva vazhdon e pamposhtur në sezonin e ri.
Në anën tjetër, Gjilani ka pësuar humbje ndaj Suharekës, ku luajtën për 50 minuta me një lojtar më pak.
Gjilani kaloi e para në epërsi me golin e Robert Rrahmanit në minutën e 14-të, por Mevlan Zeka barazoi shifrat vetëm katër minuta më vonë.
Skifterët shënuan sërish me anë të Jarovic për rezultatin 2:1 në minutën e 38-të, por dy minuta më vonë mbeten me një lojtar më pak në fushë, pasi Kushtrim Shabani mori të dytin të verdhë në ndeshje.
Me një lojtar më shumë në fushë, Suhareka, filloi ta kërkonte përmbysjen dhe ia doli.
Fillimisht Nikola Stijepovic barazoi shifrat në minutën e 79-të, ndërsa Arvanit Rexhaj shënoi për përmbysjen e madhe në minutën e 85-të, për t'ia dhuruar tre pikë skuadrës së tij, Suharekës.
Suhareka e shijon edhe fitoren e dytë në Superligës si debutuese, teksa ka edhe një barazim. Në anën tjetër Gjilani mbetet pa fitore pas katër xhirove, me dy humbje e dy barazime deri më tani.