Ballkani mëson kundërshtarin për rrethin e tretë kualifikues, do të përballet me klubin e madh nga Ishujt Faroe
Ballkani ka mësuar kundërshtarin për rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, ku do të përballet me klubin e Ishujve Faroe, Klaksvik.
"Xhebrialat" dje siguruan avancimin në fazën e tretë me një fitore të thellë ndaj La Fiorita në dy takimet me rezultat të përgjithshëm 10:0.
Ndërsa, ditën e enjte Klaksvik siguroi kualifikimin tutje, duke mposhtur Sutjeskan me rezultat të përgjithshëm 1:0 në të dy sfidat.
Ishte sulmuesi Pall Klettskard që realizoi golin e vetëm për skuadrën vendase, që ishte i mjaftueshëm për t'i avancuar tutje.
Kush është Klaksvik?
Klaksvik nuk është ndonjë skuadër shumë e madhe, prandaj nuk shihet si një test i pakalueshëm për skuadrën e Ilir Dajës.
Nëse shohim të dhënat në "Transfermarkt", skuadra nga Ishujt Faroe kushton 2.8 milionë euro e përberë nga 26 lojtarë, me një moshë mesatare prej 30.8 për qind.
Edhe në këto statistika, ajo qëndron prapa Ballkanit që në "Transfermarkt" vlerësohen rreth 4.05 milionë euro.
Sa i përket ekipit, Patrick Da Silva është futbollisti më i shtrenjtë me një vlerë prej 400 mijë euro.
Trajneri i tyre, Mikkjal Thomassen preferon lojë ofensive, ku shpesh herë përdor formacionin 4-4-2 duke luajtur në krahë, ku përmes anësorëve provon harkimet të cilat Klettskard dhe Bjartalid (dyshja qendrore) mundohet t'i konkretizojë në gola.
Klaksvik luajnë në Evropë që një kohë shumë të gjatë, ku këtë vit ishin afër ta eliminonin Bodo/Glimtin në raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, por që rezultati përfundimtar doli të jetë 3:4 për norvegjezët.
Në vitin që lamë pas ata u eliminuan nga Young Boys në kualifikime për raundin e dytë në Ligën e Kampionëve dhe pastaj edhe nga Luzern, pra kjo skuadër ende s'ka arritur asnjëherë fazën grupore.
Sidoqoftë, ajo që vlen të përmendet është që ka garuar në Evropë që nga edicioni 2017/18 vazhdimisht.
Aventura në Evropë e suksesshme për Ballkanin, kanë siguruar mbi 1 milion euro
Kampioni i Kosovës padyshim që ka fituar vlera shumë të larta deri më tani në Evropë, pasi kanë siguruar hiq më pak se 1 milion e 450 mijë euro.
Fillimisht, meqenëse u kualifikua si kampion i Kosovës, Ballkani mori 250 mijë euro nga UEFA, derisa pas eliminimit nga raundi i parë kualifikues për Ligën e Kampionëve i shtoi edhe 300 mijë euro.
Kështu i bie të fiton 550 mijë euro pa i shtuar paratë që do t'i marrë gjithashtu edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës që u shpall kampion, por që është më e ulët rreth 40 mijë euro.
Kështu, me eliminimin nga Liga e Kampionëve, skuadra e Ilir Dajës avancoi direkt në rrethin e dytë kualifikues për Ligën e Konferencës ku siguroi 350 mijë euro.
Tani, ata kanë fituar edhe 550 mijë euro tjera pasi u kualifikuan direkt në rrethin e tretë kualifikues.
Kjo vlerë mund të rritet edhe më shumë, nëse arrijnë të 'prekin' raundin e "play-off", ku me një fitore ndaj Klaksvik do të marrin hiq më pak se 750 mijë euro.
