Ballkani e 'shkatërron' Trepçën’89, Llapi barazon me Dukagjinin, Gjilani merr pikët e plota kundër Drenicës - NACIONALE

Ballkani e 'shkatërron' Trepçën’89, Llapi barazon me Dukagjinin, Gjilani merr pikët e plota kundër Drenicës

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kanë përfunduar edhe tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 30 të Superligës së Kosovës, aty ku Ballkani ka shënuar fitore të thellë ndaj Trepçës’89 me rezultat 7:2 duke ruajtur kreun e tabelës, ndërsa Llapi ka barazuar në shtëpi ndaj Dukagjinit 1:1, e Gjilani me rezultat minimal 1:0 ka fituar ndaj Drenicës.

Suharekasit janë kthyer në formë në momentet vendimtare, duke arritur fitoren e dytë radhazi dhe po marshojnë drejt mbrojtjes së titullit kampion.

Ballkani – Trepça’89

Ndeshja e zhvilluar në Suharekë i takoi krejtësisht kampionit në fuqi, e cila dominoi në të dy pjesët e takimit, teksa vetëm në 45 minutat e para shënoi tre gola.

Albin Berisha ishte golashënuesi i parë i ndeshjes, kur realizoi për 1:0 në minutën e 30-të, me asistin e Albion Rrahmanit.

Në minutën e 36-të të takimit ishte Lumbardh Dellova që realizoi gol fantastik nga gjuajtja e lirë nga një distancë shumë e madhe për ta çuar rezultatin në 2:0.

Teksa për rezultatin e pjesës së parë u kujdes Albin Berisha që shënoi të dytin personal në minutën e 42-të, për 3:0.

Me të filluar pjesa e dytë, Ballkani gjeti golin e katërt, kësaj radhe me anë të Albion Rrahmanit.

Edvin Kuc gjeti rrjetën në minutën e 65-të për ta çuar rezultatin në 5:0, ndërsa për rezultatin 6:0 shënoi Rrahmani, që ishte i dyti në këtë ndeshje dhe i gjashti për Ballkanin.

Ballkani shënoi edhe të shtatin me anë të Harmon në minutën e 72-të, ndërsa Armend Thaqi kompletoi het-trik me asiste në aksionin e këtij goli.

Gashi dhe Adu-Kwaw shënuan për mitrovicasit për të ngushtuar sadopak rezultatin në këtë takim.

Ballkani 7:2 Trepça’89, me suharekasit që ruajnë kreun e tabelës me një pikë më shumë se Drita e vendit të dytë.

Llapi – Dukagjini

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Zahir Pajazit në Podujevë mes Llapit e Dukagjinit përfundoi pa fitues me rezultat 1:1, me të dy skuadrat që hynë në këtë ndeshje me qëllimin vetëm te fitorja, pasi janë në ndjekje të ëndrrës evropiane, që mund ta sigurojnë nëpërmjet pozitës së tretë.

Të dy golat u shënuan në pjesën e parë. Arbër Shala shënoi për mysafirët në minutën e 25-të për rezultatin 1:0, ndërsa Festim Alidema shënoi katër minuta më vonë për të barazuar gjithçka në 1:1.

Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim të rezultatit, me një gol të anuluar të Dukagjinit në pjesën e dytë. Të dy skuadrat kanë pikë të barabarta, nga 40 dhe mbajnë pozitat pesë dhe gjashtë, respektivisht.

Gjilani – Drenica

Gjilani e ka fundosur edhe më thellë në krizë Drenicën, duke e mposhtur me rezultat minimal 1:0, kështu duke ia zvogëluar gjasat për mbijetesë në Superligën e Kosovës.

Ishte goli i Baton Zabërgjes i minutës së 50-të që vendosi fatin e këtij takimi, për fitoren 1:0 të Gjilanit.

Kjo fitore për Skifterët është shumë e vlefshme, pasi forcojnë pozitën e tretë, apo pozitën e fundit që dërgon në gara evropiane, ndërsa Drenica tashmë pothuajse se është përshëndetur me elitën e futbollit kosovar.

Lajme të ngjashme