Bajrami: Zgjodha me zemër Shqipërinë, edhe pse luajta me grupmoshat zinxhir të Zvicrës - NACIONALE

Bajrami: Zgjodha me zemër Shqipërinë, edhe pse luajta me grupmoshat zinxhir të Zvicrës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Futbollisti i ri i Sassuolos, Nedim Bajrami, komentoi për kanalin zyrtar të klubit vendimin për ta përfaqësuar Shqipërinë duke u larguar nga Zvicra. Ai e quajti krenari një vendim të tillë.

Nedim Bajrami ishte lojtari më i dalluar i Zvicrës U21, kur kjo e fundit arriti që të kualifikohej në Evropianin e kësaj grupmoshe. Megjithatë, me të pranuar një ftesë nga Shqipëria, mesfushori tetovar zgjodhi që të mos merrte pjesë në Evropianin U-21 me Zvicrën, për ta kryer kështu procedurën për t’iu bashkuar Shqipërisë.

Tani ai është një lojtar i Sassuolos, klub me të cilin nënshkroi kontratë në afatin kalimtar të janarit, duke u transferuar nga Empoli. Zyrtarët për medie të klubit emiljan pyetën mesfushorin shqiptar se përse ka hequr dorë nga Zvicra për ta veshur ngjyrën e fanellës “Kuqezi”. Bajrami tregoi arsyet e veta.

“Isha pjesë e grupmoshave zinxhir të Zvicrës. Pastaj më erdhi një telefonatë nga përzgjedhësi Edy Reja. Mandej fola edhe me familjen time dhe në fund zgjodha me gjithë zemër Shqipërinë. Jam shumë i lumtur dhe krenar”, tha ai.

Mesfushori kreativ veçoi dy ndeshje me kombëtaren shqiptare që i kanë dhënë më shumë emocione deri tani.

“Debutimi kundër Hungarisë dhe ndeshja kundër Italisë”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi shqiptar ftoi italianët që ta vizitojnë edhe Tiranën, duke e quajtur kryeqendër shumë të bukur. Ndërsa Zurichin e vlerësoi si vend, veçanërisht kur moti është i ftohté.

Në këtë intervistë 23-vjeçari tregoi edhe se kush ka qenë futbollisti idol i tij: “Po, Zidane ka qenë futbollisti idol i imi. Më bënte shumë përshtypje eleganca dhe inteligjenca që kishte kur luante në fushë.”

Bajrami me Kombëtaren e Shqipërisë ka debutuar më 5 shtator të vitit 2021. U desh një interpretim i CAS-it për ta zhbllokuar çështjen e tij, pasi fillimisht i ishte refuzuar nga FIFA kërkesa për të ndryshuar kombëtare. Pas disa muajsh ngecje, gjithçka kulmoi me dritën jeshile që pranoi nga instanca më e lartë ligjore sportive.

Pra, në përgjithësi që atëherë ai ka bërë 10 paraqitje me kombëtaren shqiptare. Nën drejtimin e Edy Rejas nuk ka mundur ta japë më të mirën, por cilësitë e tij teknike mbeten të padiskutueshme.

Ndërsa me klubin e tij të ri, gjegjësisht Sassuolon, debutoi 23 minuta në fitoren 1:0 kundër Atalantas, që ekipi i drejtuar nga Dionisi regjistroi në fundjavën që lëmë pas.

Lajme të ngjashme