Babai shpjegon intervistën e Oltit: S’e ka marrë në konsideratë Kosovën sepse kurrë s’ka pasur ftesë
Edhe pse u bë virale në mediat lokale me deklaratën që ndihet danez dhe që kombëtarja e Kosovës s’është nën ‘konsideratën’ e tij, e vërteta për sulmuesin e talentuar Olti Hyseni është komplet ndryshe.
Babai i tij Flamuri në një intervistë për Gazetën Nacionale ka shpjeguar se djali i tij e ka thënë atë deklaratë shkaku që asnjëherë s’është kontaktuar nga Kombëtarja e Kosovës, andaj edhe nuk ka mundur ta konsiderojë si opsion.
Sipas tij, Olti ndihet danez vetëm shkaku që jeton në Danimarkë dhe rrethohet nga danezët.
“Gazetari gjerman e ka pyetur: Kur ti ke dy nacionalitete, ke prejardhje nga Kosova e ke nënshtetësi daneze, cilën kombëtare dëshiron me zgjedh. Ky (Olti) ka thënë jam mirë me Danimarkën sepse ka qenë i zgjedhur nga kombëtarja daneze, ka thënë nuk e mendoj Kosovën sepse nuk më ka ardhur ftesë nga Kosova”.
“Olti çka ka thënë është që nuk ka thënë as edhe një herë se nuk ka ndjenjë shqiptare. Olti ka prindërit shqiptarë, çdo pushim vjetor e bën me familjen në Kosovë”.
“Për intervistën, pyetja është Dardanët apo Kosova a kanë shprehur ndonjëherë interesim për Oltin? As edhe një herë. Ai ka thënë se ndihet danez sepse jeton në Danimarkë dhe është komplet normale pasi nëse tërë ditën ke të bësh vetëm me danez, normal që ndihesh danez”.

Flamuri ndër të tjera tregoi se Shqipëria U21 e Alban Bushit ka shprehur interesim për talentin 16-vjeçar, mirëpo jo Kosova.
“Olti nuk i është ofruar kombëtares daneze, por e njëjta duke parë talentin e tij në klubin ku luan ju ka ofruar dhe meqenëse Olti është vetëm 16 vjecar dhe është në interes të zhvillimit të tij si futbollist nuk e ka refuzuar një ftesë të tillë”.
“Olti ka thënë “Unë luaj për Danimarkën sepse kombëtarja daneze m’u ka afruar. Unë nuk e kam marrë në konsideratë Kosovën për të vetmen arsye sepse nuk ka pasur as edhe një herë interesim prej tyne”.
Në fund, i pyetur nëse mund ta shohim Oltin te Kosova, babai i tij nënvizoi: “Më gjasë shumë të madhe në të ardhmen”.