Azpilicueta: Asnjëherë nuk kam vendosur që të largohem nga Chelsea
Cesar Azpilicueta ka dhënë një intervistë për Sky Sports, ku ka folur për sezonin e ri që e pret me Chelsean.
U kërkua për shumë kohë nga Barcelona, por në fund vendosi që ta rinovojë kontratën me Chelsean. Azpilicueta nuk është penduar aspak me këtë vendim që ka marrë.
Në intervistën e fundit, ai tregoi për tërë lidhjen e madhe emocionale që e ka me klubin, aty ku tashmë po bëhen dhjetë vjet prej që është pjesë e londinezëve.
Barcelona u detyrua që të bëjë zgjidhje alternative, duke blerë Kounde nga Sevilla, edhe pse dëshira e katalonasve ishte që edhe Azpilicueta të sigurohej.
Prononcimi i Azpilicuetas për Chelsean
Intervista e dhënë për Sky Sports nga Azpilicueta ishte vërtet e gjatë dhe aty në thelb u përmend rëndësia që ka Chelsea për mbrojtësin spanjoll.
"Kjo është shtëpia ime. Nuk kam marr asnjëherë vendim vetanak që të largohem. Gjithmonë kam qëndruar tej mase i angazhuar me klubin dhe kështu ka qenë prej ditë së parë. Pas Botërorit për klube, e kam shqyrtuar mundësinë e largimit, por që kishte të bënte vetëm me situatën e klubit, e cila më pastaj ka ndryshuar me ardhjen e pronarëve të rinj", shpjegoi ai.
Ai ndër të tjera ka folur edhe për afrimin e lojtarëve të rinj, si Sterling dhe Koulibaly.
"Ka qenë shumë e rëndësishme që të mbahej ambicia lart dhe të vazhdohet të synohej fitimi i trofeve. Ardhja e lojtarëve të rinj e dëshmon një gjë të tillë. Raheem dhe Kalidou kanë një përvojë të madhe. Kanë luajtur në nivele maksimale dhe janë yje ndërkombëtare. Është fantastike t'i kesh këtu", komentoi ai.
Ndërkaq, sa i përket Cucurellas, Azpilicueta po ashtu theksoi që është i lumtur për të që i është bashkuar londinezëve.
"Ka pasur zhvillimin e duhur në dy vitet e fundit, duke përfunduar nga kampionati spanjoll në Brighton, për të arritur deri këtu. Thjesht, fantastike", deklaroi ai.

