Avokati thotë se Gjilani i ka shlyer borxhet ndaj futbollistëve, por mbetet në shitje - NACIONALE

Avokati thotë se Gjilani i ka shlyer borxhet ndaj futbollistëve, por mbetet në shitje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sport Club Gjilani vazhdon të jetë në shitje, derisa presidenti Florim Zuka mesa duket i ka shlyer borxhet ndaj futbollistëve, kështu ka shkruar avokati i autorizuar, Arsim Vranovci.

Sipas Vranovcit, Gjilani vazhdon të jetë në shitje dhe asgjë nuk do t’i ndryshojë planet paraprake.

“Kanal 10” raportoi ditën e martë se Zuka është rikthyer si president dhe ka paguar të gjitha borxhet e futbollistëve, duke shtuar se edhe trajneri Zekirija Ramadani do të vazhdojë të jetë në "timonin" e klubit.

Sidoqoftë, tani Vranovci tregon se situata s’ka ndryshuar me klubin gjilanas që do të shitet, por deri atëherë Zuka do t’i qëndrojë besnik klubit dhe t’i përmbushë të gjitha obligimet, duke lënë të kuptohet se borxhet janë paguar.

Komunikata e tij e plotë:

“Po ju drejtohemi me këtë shkresë për të ju njoftuar se pas publikimeve në disa media dhe televizione lokale se SC Gjilani nuk do të shitet, ne ju njoftojmë se kjo informatë është e pasaktë dhe shitja e klubit futbollistik “SC Gjilani” vazhdon sipas planifikimeve paraprake”.

“Pronari Florim Zuka thotë se do të jetë besnik ndaj klubit deri në momentin e shitjes dhe se do të përmbush obligimet që ka ndaj klubit “SC Gjilani”.

“Të bashkangjitur ne këtë email e keni njoftimin tonë për media, si dhe ftesën për pjesëmarrje në thirrjen e hapur për shitjen e aksioneve të klubit futbollistik “SC Gjilani”, shkroi ai.

Lajme të ngjashme