Aventura e De Rossit me Romën fillon me fitore, e mposhtin me shumë vështirësi Veronën
Daniele De Rossi e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij me Romën, duke fituar me rezultat 2:1 ndaj Hellas Veronës në Stadio Olimpico.
Tri ndeshje radhazi pa fitore dhe humbja e fundit ndaj Milanit 3:1 ishte 'kulmi' për drejtuesit e Romës, që vendosën ta shkarkojnë Jose Mourinhon, për të emëruar disa orë më vonë legjenden e klubit De Rossi.
Prova e parë për 40-vjeçarin ishte sot në shtëpi dhe skuadra e tij u paraqit mjaftueshëm mirë sa për të fituar tre pikët.
Përballja në Stadio Olimpico u karakterizua me raste minimale shënimi, me posedimin që u kontrollua pothuajse tërësisht nga skuadra kryeqytetase.
Të dy golat e fitores u shënuan në pjesën e parë të takimit, teksa mysafirët humbën një penallti në pjesën e dytë dhe ngushtuan epërsinë në një gol, por pamjaftueshëm për të bërë më shumë.
Fillimisht ishte Romelu Lukaku që shënoi lehtësisht për 1:0 në minutën e 19-të, me punën që krejtësisht në këtë aksion e përfundoi Stephan El Shaarawy me disa manipulime fantastike me topin.
Gjashtë minuta më vonë El Shaarawy ishte sërish në rolin e asistuesit pasi pranoi një top nga Lukaku, me reprezentuesin italian që e çoi topin te Pellegrini dhe ky i fundit shënoi gol të bukur për 2:0.
Deri në përfundimin e takimit Verona arriti të shënonte një herë, teksa pak para se të shënonin humbën një penallti e ekzekutuar nga Djuric, që shkoi lart mbi portë.
Folorunsho shënoi gol fantastik për 2:1 në minutën e 76-të, sa për të prishur qetësinë e romakëve, por sa i përket golave, nuk pati më në vazhdim.
Me këtë fitore Roma shkon në kuotën e 32 pikëve, dy më pak se vendi i katërt që mbahet nga Fiorentina, por këta të fundit kanë një lojë më pak të zhvilluar.